Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

19 Maj 2013

Topi: Ja sfidat e Shqipërisë në forcimin e demokracisë 

2012-04-26

Britani

Presidenti, leksion në Kembrixh i shoqëruar nga Nikollë Lesi

Në një ceremoni të zhvilluar sot paradite në Universitetin e Kembrixhit, në praninë e drejtuesve më të lartë dhe trupës pedagogjike të këtij institucioni të rëndësishëm akademik të Mbretërisë së Bashkuar e njëkohësisht nga më të shquarit në botë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi “CATS College” të Kembrixhit me “Medaljen e Mirënjohjes” me këtë motivacion: “Për kontributin e dhënë në edukimin e nxënësve shqiptarë me kulturën britanike e europiane”. Në këtë ceremoni dhe gjatë takimit që pasoi mes Presidentit të Republikës, të shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi, dhe delegacioni zyrtar shqiptar. Në takim u theksua rëndësia e arsimit të lartë, roli parësor i universitetit në formimin e gjithanshëm të brezit të ri, si dhe u nënvizua rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre prestigjioze britanike. Presidenti vlerësoi lart rezultatet e shkëlqyera të arritura nga studentët shqiptarë, të cilët i inkurajoi të japin kontributin e tyre në ndërtimin e së ardhmes europiane të Shqipërisë. Presidenti Topi mbajti një ligjëratë në “Cambridge Union Society”, me temë "Shqipëria, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe rruga e saj drejt integrimit euroatlantik, si dhe të ardhmes së rajonit të Europës Juglindore”. Duke u ndalur te përparimet politike në rajon për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë, kreu i shtetit theksoi se “forcimi i demokracisë funksionale dhe elementeve të veçanta të saj, siç janë jetësimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe shtetit efektiv së të drejtës, bashkëveprimi efektiv në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, zgjerimi i demokracisë përfaqësuese qytetare dhe rritja e akteve të përgjegjësisë politike ndaj zgjedhësve, forcimi i besimit të institucioneve politike në publik përmes rotacioneve demokratike të elitave politike, si dhe një rol më aktiv të shoqërisë civile, medias së pavarur, komuniteteve akademike apo fetare, - përbëjnë sipas meje, paketën kryesore të sfidave me të cilat Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit të Europës Juglindore ndeshen e do të vazhdojnë të ndeshen gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm”, tha Presidenti Topi.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.