Mbledhja e djeshme mes 26 partive të vogla dhe të mëdha u shoqërua me tensione dhe batuta ndërmjet palëve. Batutat e hedhura dhe acarimi gjatë këtyre përplasjeve kanë rrezikuar qëllimin e takimit, ku vetëm ndërhyrja e moderatorit të tryezës, kreut të PSD-së, Paskal Milo, ka sheshuar polemikat. Por, në këtë tryezë janë vërejtur marrëdhëniet e acaruara mes PS-së dhe aleatëve të saj, ku fërkimet kanë qenë tipike mes Nard Ndokës së PDK-së dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Kryesocialisti, në jo pak raste ka replikuar dhe me Gjinushin, Milon për ndërhyrjet e bëra gjatë fjalës së tij. Ndërsa përplasja që mund të shkonte mbase dhe në një konflikt fizik ka qenë edhe ai mes kreut të PLD-së, Spartak Ngjela, dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo. Dy aleatët e koalicionit opozitar pas takimit kanë shkëmbyer replika të ashpra dhe vetëm ndërhyrja e kreut të PS-së, Edi Rama ka sfumuar përleshjen.
Kulmi i acarimit arriti kur kryesocialisti Edi Rama ironizoi me batuta me përfaqësuesit e Partisë Ballit Kombëtar. “Dikur Balli Kombëtar kur kishte frikë shkoi me gjermanët. Tani vjen puna kërkon ndihmën e Partisë Socialiste”, tha Rama. Kjo shkaktoi reagimet e dy kryetarëve të PBK-së, Adriatik Alimadhi dhe i PBKD-së, Artur Roshi. “Fol e shkele Kushtetutën me kodin e ri apo jo”, iu drejtua Roshi, Ramës. Por kryesocialisti ka vijuar replikën duke theksuar se “unë nuk ju ndërpreva në fjalën tuaj, kështu asnjë nuk mund të më ndërpresë mua. Ju mbaheni mend se keni ngrënë pula, tani ju ka mbetur vetëm lepuri në bark”. Alimadhi i PBK-së i është kundërpërgjigjur se “mos na sulmo, pasi ju keni ngrënë koka njerëzish”.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në lidhje me kërkesën e partive politike është shprehur dakord, por që ajo të realizohet duhet të ketë më parë një dakordësi jo vetëm nga ai, por edhe nga pala tjetër, pra PD-ja. Pra, sipas tij, nuk mund të bllokohet për shkak të këtij kushti. “Në parim e kemi thënë dhe e konfirmojmë këtu, që jemi të gatshëm të eksplorojmë bashkë me të gjithë të tjerët, mundësitë e përmirësimit të sistemit, por siç e kemi thënë duhet ta përsëris, ne nuk e kushtëzojmë reformën zgjedhore me ndryshimin e sistemit. Për ne, themelor është që procesi zgjedhor të funksionojë mbi bazën e standardeve ndërkombëtare dhe kur them nuk e kushtëzojmë, do të thotë dhe është shumë e thjeshtë që për të ndërhyrë në sistem për çfarëdolloj përmirësimi, duhen dy palë dhe është e drejta e secilës palë që ta ketë apo të mos e ketë vullnetin për të ndërhyrë në sistem”, tha Rama. Ndërsa kreu i PS shprehu habinë se si mund të ketë kërkesë për ndryshim të sistemit nga PD dhe PS, kur të vegjlit vetëm shajnë partitë e mëdha. Por edhe pse qëndrimi i Ramës i ka joshur disi aleatët dhe partitë e tjera, diskutimi i përfaqësuesit të PD-së, Ilir Rusmali, i ka zbehur shpresat e tyre.
“Ju siguroj në emër të Partisë Demokratike, sot ne erdhëm këtu për të dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimet e partive të vogla, por jo vetëm për t'i dëgjuar ato, sepse i kemi dëgjuar të shprehura individualisht, jam i sigurt që do t'i dëgjojmë edhe në ditët në vijim edhe në forma të ndryshme organizimi, por edhe për t'i përpunuar ato me veten tonë, me kolegët, me oponentët politikë. Tematika që trajtohet sot është shumë e rëndësishme, për të përfituar më të mirën e mundshme nga kjo tematikë. Ka shumë rëndësi që përqasja të bëhet me një shpirt absolut konstruktiviteti. Nuk jemi duke kërkuar të plotësojmë tekat e njërit apo të tjetrit, kushdo qoftë, i madh apo i vogël”, tha Rusmali.
Eqerem Spahiu PLL: Ne si parti kemi funksionuar në burgje në kohën e komunizmit dhe në diasporë dhe mos t’ju shkojë mendja që nuk do të ekzistojë tani pavarësisht në këtë demokraci të brishtë
Edi Rama: Qesh
Paskal Milo: Duket se përfaqësuesit e dy partive të mëdha ka ardhur koha të marrin fjalën. Zakonisht, iniciativa vjen nga ai që ka pushtetin.
(Rusmali dhe Rama hezitojnë të marrin fjalën)
Paskal Milo: Zoti Rama keni fjalën
Edi Rama: Unë jam parti në pushtet, por s’ka problem.
Edi Rama: Është rasti unikal në botë kur kërkohet ndihma e partive të mëdha me të shara.
Nard Ndoka: Kritika ishin jo të shara
Edi Rama: Unë nuk ju ndërhyra në fjalën tuaj. Unë i konsideroj të shara
Edi Rama: Eqerem, ti e the dhe vetë se në burg të ka funksionuar partia. Ti mos u qaj dhe mos më ndërprit. Po të ishe kaq i fortë ndërprisje Enver Hoxhën jo mua, se unë jam pjesë e një tjetër epoke.
Nard Ndoka: Po ka funksionuar në burg, jo në regjimin e komunizmit.
Edi Rama: Kështu erdhi puna se edhe Balli Kombëtar kërkoi ndihmën e partive të majta. Se mirë në kohën e luftës ishit me gjermanët se kishit frikë, por tani nga kush keni frikë
Artur Roshi: Mos trego përralla, keni marrë vota me Kushtetutë apo jo? Votat i ke marrë me anë të ligjit, mos na bëj moral tani. Ju jeni pasardhësi i kriminelëve
Paskal Milo: Ju lutem mos replikoni
Edi Rama: Unë nuk ndërpreva njeri. Zakonisht ju hanit pula, lepuri ju ka mbetur në bark. Ka mundësi të vazhdoj unë
Artur Roshi: Me këto pseudobatuta nuk funksionon
Adriatik Alimadhi: Ju Rama keni nxjerrë njerëzit zvarrë në burgje. Ty nuk të shkon të shprehesh kështu, lëri pulat. Se ju keni ngrënë koka njerëzish. Këtu e gjete ti të flasësh për ballistët. Është turp, ju keni tërhequr zvarrë njerëzit.
Edi Rama: E kam pikë të dobët Ballin Kombëtar... qesh
Adriatik Alimadhi: Pse zgërdhihesh. Kujdes kur flet për ballistët. Çfarë është kjo fjalë kur i ke pikë të dobët. Ka etikë tani.
Edi Rama: Arjan Madhi, a mund t’i mbash në rresht ti këta? Se asaj pune s’keni çfarë t’i bëni.
Adriatik Alimadhi: Mos u shpreh më kështu se është hera e dytë që merreni me pulat dhe ballistët.
Edi Rama: I paske shënuar?
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.