Kreu i qeverisë, Sali Berisha, e nisi vizitën e tij në SHBA me një takim që zhvilloi dje me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Takimi i zhvilluar në zyrën e Klinton në Departamentin Amerikan të Shtetit ishte bilateral dhe palët deklaruan paraprakisht se do të flitej jo vetëm për çështje dypalëshe, por edhe për sa u përket atyre rajonale dhe globale. Deri në orët e vona të ditës së djeshme, asnjë nga detajet për të cilat u fol në bisedën me dyer të mbyllura nuk arriti të zbardhej. DASH publikoi në faqen e tij zyrtare vetëm deklaratën e fjalëve përshëndetëse në nisje të takimit të djeshëm. Sipas kësaj deklarate, fillimisht drejtuesja e diplomacisë amerikane, Klinton, e ka konsideruar Shqipërinë një partnere të ngushtë të SHBA-së dhe marrëdhëniet dypalëshe, si të gjera e të thella. Por ajo nuk ka harruar të theksojë faktin se në këtë takim do të flitej edhe për çështjet rajonale. “Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë këtu, në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thellë që e vlerësojmë maksimalisht. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë, si në aspektin bilateral, rajonal dhe atë global”, ka deklaruar Klinton në nisje të takimit. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë, Berisha, e ka cilësuar Klinton si një mike të madhe të kombit shqiptar dhe se një nga arsyet e kësaj vizite ishte pikërisht ftesa zyrtare që donte t’i bënte sekretares amerikane për të vizituar Shqipërinë këtë vit. “Ajo është një mike e madhe e vendit dhe e kombit tim. Unë po ju rrëfehem këtu. Një prej qëllimeve të këtij takimi është t’i kërkoj asaj të vijë në Shqipëri në 100-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol themelor në të gjitha momentet më të vështira të historisë sonë. Kështu që, çdo shqiptar do të jetë krenar dhe i lumtur për këtë vizitë të saj”, deklaroi Berisha, duke këmbëngulur në qëllimin e vizitës së tij. Por po kështu kreu i qeverisë ka theksuar se në këtë takim do të flitet edhe për çështje të interesit dypalësh. “Shqipëria ka pasur privilegjin e jashtëzakonshëm të mbështetet nga ky vend i madh, nga administrata e Presidentit Obama, nga sekretarja Klinton, në të gjitha përpjekjet e saj për të ndërtuar një demokraci të bazuar në lirinë e tregut”, deklaroi Berisha, duke falënderuar sekretaren amerikane. Burimet bëjnë të ditur se takimi i kreut të qeverisë shqiptare me shefen e diplomacisë amerikane është mundësuar me ndihmën e Xhon Uisner, një ish-ambasador, që gjithashtu ka një biznes të mirënjohur lobimi në SHBA. Në vizitën e tij, Kryeministri ka ndërthurur në axhendën e tij elemente të vizitave të nivelit të lartë dhe atyre patriotike, që do të kulmojnë me festimin e 100-vjetorit të shoqatës “Vatra”.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.