FRD-ja, partia e re së djathtës, është mbështetur dje në mënyrë masive edhe në rrjetin social “Facebook”, i cili përdoret në masë nga të rinjtë shqiptarë. Është interesant fakti se vetëm ditën e parë të krijimit të kësaj faqeje në rrjetin social, numri i atyre që e kanë mbështetur dhe e kanë përgëzuar e ka kaluar numrin 300. Komisioni themelues i kësaj partie ka nisur të publikojë në këtë faqe dje dhe pjesë nga misioni dhe programi i kësaj force, shoqëruar me fotografi të selisë, logo dhe video të kryetarit të këtij komisioni, deputetit Gazmend Oketa. Në qendër të kësaj faqeje spikat emri i partitë dhe lajmërimi se themelimi i saj do të ndodhë pikërisht sot në zyrat e selisë së FRD-së. Komentues të shumtë shprehin pëlqimin e tyre për këto materiale të publikuara në faqe dhe i urojnë organizatorët në lidhje me këtë nismë të ndërmarrë. “Urime Gazmend dhe FRD... Sot ndjeva të më ringjallet Dhjetori i ëndrrave të mëdha, por të parealizuara”, shkruan një komentues poshtë fotografisë së deputetit Oketa. Duket se kjo faqe e hapur në rrjetin e mirënjohur social do të shërbejë si burim mbështetjeje për këtë forcë të re politike dhe, nga ana tjetër, do t’i krijojë mundësi asaj të arrijë të shpërndajë në një mënyrë sa më të shpejtë dhe të gjerë mesazhet e saj. Faqet e partive dhe politikanë në rrjetet sociale tashmë duket se janë pjesë e pandashme e marketingut politik. Fushata për zgjedhjet lokale të 8 majit, nxori në pah rëndësinë e madhe që pati mbështetja “online” për kandidatët në garë dhe partitë politike që i mbështesnin ata. Kjo formë komunikimi u shërben përfaqësuesve të një partie për të qenë sa më afër me publikun dhe mbështetësit e tyre dhe si një formë e mirë kontrolli për mbështetjen dhe ndikimin që kanë qëndrimet e tyre. Fenomeni i përdorimit të rrjeteve sociale për fushatë është huazuar së fundmi nga shqiptarët, nisur nga fakti se në botën perëndimore ky lloj marketingu politik ka vite që përdoret.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.