Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, e cilëson shpalljen e kandidaturës së Neritan Cekës nga PAD-ja për president si një lojë e Kryeministrit Sali Berisha. “Nga SHBA, Berisha tha se do të niste një proces konsultimesh me opozitën dhe të tjerë në Tiranë për presidentin e ri. Por vetëm pak minuta më vonë në Tiranë, këshilltari i tij për Kulturën, Neritan Ceka, shpalli kandidaturën për President të Republikës! Pak pasi ai e bëri këtë, Jozefina Topalli nxori si besimtarin e saj, aktorin me famë kombëtare, Zef Bushati, për të shpallur tamam Jozefinën si kandidate për të qenë President i Republikës! Skema e Berishës u plotësua! Si 5 vite më parë! Vetëshpallej Nano-gjoja do ta mbështeste Berisha! Menjëherë pas tij vetëshpallej nga Berisha Neritan Ceka! Pas tyre, bënte nevrikun ndaj Berishës dhe kandidonte Bamir Topi, gjithnjë i mbështetur nga njerëzit e Berishës”, shkruan socialisti në faqen sociale “Facebook”. Më tej deputeti i PS-së thekson se “në votimin e parë të kryer, Neritan Ceka dilte i dyti në garë, me vota të Berishës, dhe digjte Fatos Nanon, duke e zhvendosur të tretin! Në votimin e dytë të kryer fitonte ai që donte Berisha, Bamir Topi!”. “I vetmi ndryshim këtë herë është që për Berishën kandidon Jozefina Topalli, jo më Bamir Topi! Nga kjo skemë: Ceka është i përdoruri i përhershëm; Nano i gënjyeri i përhershëm; Berisha i fituari i madh! Pikërisht për të dështuar këtë skemë rëndësi ka vetëm procesi! Nuk mund të ketë president pa një proces konsensual - jo numerik! Ndryshe, shteti njëpartiak është duke ardhur!”, thekson Braçe.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.