Gjurmët e vrasjes së pesë maqedonasve në Smilkovc të Shkupit po kërkohen në Serbi. Policia serbe po verifikon të dhëna që mund të ndihmojnë në gjetjen e autorëve të vrasjes së pesëfishtë në fshatin Smilkovc të Shkupit. Kjo është theksuar dje nga ministri serb i Policisë, Ivica Daçiç, i cili ka shtuar se është i gatshëm për të ndihmuar autoritetet maqedonase. “Jemi të gatshëm për të ndihmuar për gjithçka që kanë kërkuar kolegët nga Policia e Maqedonisë. Ne do të kryejmë verifikime të ndryshme, me qëllimin që si mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti”, deklaroi ministri serb. Ministria e Brendshme e Maqedonisë, deri tani ka kërkuar ndihmën dhe bashkëveprimin e policive të rajonit për të dhënë informacione dhe përvojën e duhur në zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë që ndodhi javën e kaluar në periferi të Shkupit. Ndërhyrja e policisë serbe në hetimet për zbardhjen e vrasjes ka nxitur reagime te partitë politike shqiptare, të cilat druajnë dhe nuk i besojnë policisë serbe. Ky reagim është shprehur me marrëveshjen e arritur për bashkëpunim policor midis Beogradit dhe Shkupit. Ndërkaq, Ministria e Brendshme maqedonase ka dhënë një version të parë të ekspertizës se si ka ndodhur vrasja e pesëfishtë javën e kaluar në Smilkovc të Shkupit. Vrasësit thuhet se kanë ardhur pranë liqenit të Hekuranës në afërsi të fshatit Smilkovc, në kohën kur katër të rinjtë po përgatiteshin për të shkuar, për shkak se makina e tyre e gjetur më pas ishte me drita të ndezura. Makina “Opel Omega”, për të cilën thuhet se ishte shfrytëzuar nga vrasësit e pesë vetave, sigurisht dyshohet nga MPB-ja se ka qenë pranë liqenit. Ekspertët e kriminalistikës kanë vërtetuar se dheu në gomat e kësaj makine është e njëjtë me bregun e liqenit. MPB-ja gjithashtu thekson se makina është me plot gjurmë të tjera të ndërlidhura me vrasjen. Sipas një ekspertizë të rikonstruktuar, vrasja është kryer nga së paku tre veta, të cilët në një periudhë prej 5 deri në 10 minuta kanë shtënë në drejtim të pesë viktimave në dy lokacione të ndryshme pranë liqenit. Katër të rinjtë: Aleksandar Naqovski, Cvetanço Acevski, Kire Triçkovski dhe Filip Sllavovski janë gjetur pranë makinës së tyre, ndërsa peshkatari Bllagoja Stefkovski është gjetur 100 metra në largësi nga katër viktimat. Sipas policisë, katër të rinjtë ishin përgatitur për të peshkuar, pasi pranë makinës së tyre ishin gjetur edhe mjetet përgatitore të peshkimit. Vrasja, siç thuhet, është kryer rreth orës 20.00, ndërsa policia informacionin e ka marrë në ora 22.15 përmes qendrës së thirrjeve 192. Më pas, 15 minuta më vonë edhe tre peshkatarë të tjerë kanë informuar mbi trupat e shtrirë të pajetë. MPB-ja ka theksuar se akoma po vazhdojnë hetimet intensive, pasi është zbuluar profili i vrasësve, ndërsa po punohet për zbardhjen e identitetit të tyre. Hetimet, siç nënvizohet, mund të zgjasin me javë e me muaj, por MPB-ja ka theksuar se është e përgatitur dhe do të zbardhë vrasjen e pesëfishtë.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.