Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, ka uruar përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoksë për Festën e Pashkëve.
“Në të kremten e Pashkës, kisha jonë nuk na fton thjesht në një mallëngjim sipërfaqësor, që përkëdhel ndjenjën fetare, por në një dalje jetike: nga plogështia shpirtërore në vigjilencën e frymës”, - u shpreh Janullatos në urimin e tij.
Më tej ai i ftoi njerëzit që në një ditë si kjo, që është simboli i dashurisë dhe përkushtimit për të tjerët, duke lënë mënjanë egocentrizmin dhe individualizmin e theksuar, të heqin dorë nga veset dhe të këqijat që po e ndotin shoqërinë tonë.
“Duke kremtuar Pashkën, ftohemi në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati shumëformësh dhe shpesh i vështirë për t’u dalluar. Sipas terminologjisë së sotme kjo do të thotë dalje nga korrupsioni, gënjeshtra, paligjësia, mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore duke minuar kohezionin e popullit. Do të thotë zgjedhje e vendosur e së vërtetës dhe e ndershmërisë. Dalje nga indiferenca për hir të drejtësisë”, - tha Janullatos, duke i ftuar njerëzit që të falin sa më shumë dhe të japin dashuri për të tjerët. 14 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.