Që nga mesnata e së shtunës dhe gjatë ditës së sotme, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkët, dita që simbolizon ringjalljen e Krishtit.
Mijëra besimtarë në Tiranë kanë marrë pjesë në meshën e Pashkëve, të zhvilluar në Katedralen e Ungjillëzimit, e cila u drejtua nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Kryepeshkopi Janullatos iu drejtua besimtarëve ortodoksë në mesnatë, në momentin e ringjalljes së Jezusit, “tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e pashueshme e Perëndisë”.Pas meshës së mbajtur me këtë rast dhe urimit të dhënë nga Janullatos, besimtarët e shumtë të pranishëm kanë ndezur qirinj dhe kanë ndjekur ritet e tjera me rastin e kësaj feste të veçantë.
E njëjta atmosferë ka zotëruar edhe në qytete të tjera të vendit ku jetojnë ortodoksë, të cilët e kanë kremtuar ringjalljen e Krishtit mesnatën e së shtunës. Pashka është një festë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë, pasi është dita kur ata luten për paqe dhe dashuri mes njërit- tjetrit. 15 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.