Betonizimi i bregdetit vijon frikshëm në Durrës, ndërsa autoritetet nuk marrin asnjë përgjegjësi, duke lejuar vazhdimësinë e shkatërrimit të një zone që e deklarojnë turistike. Teksa flasim për shtetin ligjor e duke shkuar më tej te deklaratat e pushtetarëve për instalimin e shtetit të së drejtës në vend mjafton të zhvendosesh në bregdetin e Durrësit, për të kuptuar sa i pranishëm është shteti dhe funksioni i tij rregullator e disiplinues i hapësirave të përbashkëta në të mirë të zhvillimit, përtej interesave të ngushta të individëve të caktuar.
Sikur të mos i mjaftonin tonelatat me mbetje urbane, bregdetit të Durrësit i shtohen frikshëm objektet e betonta që kanë depërtuar në rërë dhe në det, në kërkim të rritjes së fitimit, kundrejt shërbimit të ofruar për qytetarët në një zonë të superurbanizuar në mënyrë kaotike. Ndërkohë pasojat e këtij betonizimi dhe ndërhyrja e vazhdueshme po e largojnë gjithnjë e më shumë interesin e të pushuarit në këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut ku ligji duket se nuk funksionon.
Ndërtimet përgjatë vijës bregdetare të plazheve të Durrësit dhe Kavajës vazhdojnë, ndërkohë që më në Veri të Durrësit, te Gjiri i Lalzit, situata është e ndryshme, pasi atje janë kujdesur me kohë që të mos lejojnë degradimin e zonës, zaptimin e saj dhe të sigurojnë lejet paraprake për fshatra turistike.
Infrastruktura për vite me radhë e dëmtuar dhe e munguar në shumë raste e pati ruajtur virgjërinë e zonës. Plazhet e Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit ofrojnë një pamje të trishtë për syrin e çdo vizitori, por të gjallë në lëvizje mjetesh të rënda, skelash që ngrihen dhe shtrihen dhe në det me mole, platforma dhe bankina, betonizim të një pjese të brezit të rërës për të sajuar rritje të sipërfaqes së shfrytëzuar për plazhe private, lokale.
Shëtitorja bregdetare e ngritur përgjatë plazhit të madh të Durrësit disa vite më parë, tashmë është e shkatërruar. Ajo u ndërtua dhe si një kufi për të mos u kaluar nga zaptues-ndërtuesit e brezit të rërës. Lidhur me situatën e krijuar institucionet e kalojnë topin te njëri-tjetri, pa marrë përsipër të ndalojnë vazhdimin e masakrës ndërtimore në bregdet. Brezi i rërës i ngjan një kantieri ndërtimi.
Në Bashkinë e Durrësit konfirmojnë se që nga vjeshta e kaluar në zonën e plazhit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi nga KRRT, ndërsa në prefekturë thonë se bashkia duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj dhe të ndërhyjë për shembjen e objekteve pa leje. Ndërkohë ka dhe një Inspektorat Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) që mund të ndërhyjë. E njëjtë është situata edhe përtej plazhit të madh të Durrësit, në Shkëmbin e Kavajës, Golem e Malin e Robit. Jemi në prag të sezonit turistik 2012.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.