Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

20 Qershor 2013

Presidenti Topi i jep Erkand Qerimaj “Mjeshtër i Madh”

2012-04-24

Presidenti Bamir Topi ka dekoruar sot Kampionin e Evropës në peshëngritje, Erkand Qerimaj, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Kreu i shtetit e ka vlerësuar 24-vjeçarin si një prej figurave më të njohura të sportit të peshëngritjes me një kontribut të çmuar në këtë fushë, duke evidentuar vlerat e rëndësishme njerëzore të dëshirës, vullnetit, pasionit, talentit.

“Me ty sot janë të gjithë shqiptarët, kudo. Janë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në diasporë, sepse të jesh ‘Kampion i Evropës’ në këtë moshë, patjetër që është pjesë e kësaj krenarie. E këtë dhuratë, ju ia bëni Shqipërisë, ia bëni shqiptarëve, pikërisht në vitin e 100-të të krijimit të shtetit shqiptar!”, ka thënë presidenti Topi.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për vlerësimin e lartë nga Presidenti i Republikës, si dhe duke vënë në dukje se ky është dhe një nderim e motivim edhe për të gjithë ata që me përkushtim të veçantë punojnë për të arritur suksese në fushën e bukur, por dhe të vështirë të sportit të peshëngritjes, kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj theksoi: “Në radhë të parë, falënderoj Presidentin e Republikës, për titullin! Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës sot! Jam shumë i nderuar, shumë i emocionuar për vlerësimin dhe për të gjitha sakrificat, për të gjitha mundimet që kam bërë, që po vlerësohen siç duhet. Ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që, do të mundohem në maksimum që të çoj flamurin shqiptar sa më lart përsëri!” .

Në këtë ceremoni zyrtare merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës së sportit, artit e shkencës, trajnerë, peshëngritës, miq e familjarë.
23 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.