Atmosfera e fundsezonit dhe e aleancave ka filluar të ndihet në Kategorinë e Parë, ku në javën e 28 është parë thuajse gjithçka, por edhe teatër, si ai në Lezhë, ku goelada dhe përmbysja rezultatit ka sjellë kontestimin e tifozerisë vendase për atë transformim që Besëlidhja bëri në pjesën e dytë. Kukësi ka fituar 4-3 në Lezhë dhe tani kuksianët janë në lojë edhe për vendin e parë, pasi javën tjetër presin Luftëtarin, që është 3 pikë para tyre. Në pjesën e parë Besëlidhja dominoi, duke udhëhequr 2-0 ndaj Kukësit. Por në pjesën e dytë ndodhi ajo që nuk mendohej, pasi kuksianët në çerekoren e parë shënojnë plot tri herë, gjë e cila solli edhe irritimin e tifozëve vendas, që akuzojnë skuadrën e tyre për lëshim. Gjithçka ka mbaruar 4-3 për miqtë, por ky takim ka lënë shije të hidhur te tifozeria lezhjane, pa llogaritur lushnjarët dhe gjirokastritët që i kishin veshët nga kjo sfidë. Luftëtari ka fituar 2-0 ndaj Adës dhe gjirokastritët vijojnë të kryesojnë me 68 pikë, ndërsa Kukësi ndjek me 65. Lushnja ka bërë detyrën, duke mundur 3-1 Gramozin.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.