Do të jetë Flamurtari-Skënderbeu, sfida më e rëndësishme e pesë ndeshjeve që do të luhen sot, në kuadër të javës së 22-të të Kategorisë Superiore. Të dyja skuadrat duket se kanë shumë “hesape për të larë”, të cilat zënë fill që nga edicioni i shkuar e vijojnë tek aktuali. Korçarët luajnë një pjesë të titullit në qytetin bregdetar, ndërsa kuqezinjtë duan të konsolidojnë pozitat në vendin e katërt, por kanë edhe rastin për t’u hakmarrë për padrejtësitë e pretenduara për sezonin e kaluar, ku e humbën titullin në rivalitet të ashpër me korçarët. Për trajnerin Shkëlqim Muça, kjo ndeshje është e rëndësishme: “Ne vërtet jemi pesë pikë më shumë se Kastrioti në klasifikim dhe teorikisht e kemi prekur pjesëmarrjen në Europa League, por asgjë nuk mund të quhet e përfunduar dhe nuk duhet vlerësuar si e kryer”. Në anën tjetër, Levi e di mirë, se çdo rezultat përveç fitores, do të komplikonte rrugën e Skënderbeut drejt titullit. Edhe pse palët janë munduar të ulin gjakrat, tensioni për këtë pragsfidë ndihet. Vendimi i tifozëve të Skënderbeut, që për herë të parë në këto dy sezonet e fundit do ta shoqërojnë skuadrën e tyre në Vlorë, në ndeshjen kundër Flamurtarit, ka bërë që sidomos policia e qytetit bregdetar të hartojë një sërë masash për parandalimin e ndonjë incidenti të mundshëm. Kjo ka bërë që stadiumi “Flamurtari” sot të ngjajë me një fortesë. Ndërsa Teuta dhe Tirana do të synojnë të marrin maksimumin në ndeshjet e tyre, përkatësisht ndaj Shkumbinit dhe Tomorit dhe do të shpresojnë në një hap fals të Skënderbeut. Dy ndeshjet e tjera janë Kamza-Laçi dhe Pogradeci-Bylis.
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.