Gazeta SHQIP (E Përditshme e Pavarur)

21 Maj 2013

Barça-Çelsi mes ëndrrash e makthesh ‎

2012-04-24

Katalanasit nuk rrezikojnë më. Në fushë sot do të rikthehen Pike dhe Fabregas

Nuk bëhet më shaka dhe aq më shumë nuk është koha për eksperimente. E ka kuptuar mirë Pepe Guardiola pas dështimit ndaj madrilenëve në “Kamp Nou”, duke u mundur në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit kundër Realit dhe njëkohësisht duke humbur kështu edhe mundësinë për të fituar titullin kampion. Kambana e alarmit vjen nga Londra, ku të mërkurën blaugranët dolën me kokën ulur nga “Stamford Bridge”, duke humbur 1-0 kundër Çelsit në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Champions League. Dy humbje radhazi për katalanasit, gjë që nuk ndodhte që nga 2009. Për faj të eksperimenteve? Mungesa e Pike e Fabregas? Guardiola bën llogaritë e tij, por sipas gazetës spanjolle “Sport”, trajneri blaugrana nuk dëshiron më të rrezikojë. Tashmë është në lojë objektivi më i madh. Në fushë kthehet Pike. Futbollisti katalanas, që mungoi në dy ndeshjet e fundit zyrtare, për zgjedhje teknike, rikthehet në qendër të mbrojtjes kundër Çelsit në “Kamp Nou”. Barcelona, pa mbrojtësin, ka vuajtur shumë lojën në ajër dhe në goditjet e dënimit të skuadrave kundërshtare. Kështu që Guardiola lë mënjanë inatet personale dhe e zbret në fushë ish-xhevahirin e Mançester Junajtid. Do të rikthehen në fushë edhe Aleksis dhe Fabregas. Vetë Pike, në konferencën e djeshme për shtyp, u është kundërpërgjigjur atyre që flasin për një cikël të përfunduar: “Flitet me shumë lehtësi në futboll: kemi fituar 13 tituj në 3 vite dhe besoj se meritojmë më shumë respekt. Ndaj Çelsit do të kualifikohemi, kjo është ajo që unë besoj”. Prandaj tani pyetja e madhe është nëse tekniku katalanas do të vendosë për një taktikë ambicioze, duke përdorur mbrojtjen me katër lojtarë, të aplikuar ndaj madrilenëve të shtunën në mbrëmje, apo do të rikthehet te mbrojtja me tre futbollistë. Nëse Guardiola do të duhet të përdorë një mbrojtje me tre, të formuar nga Maskerano e Pike, Pujol do të luante si mbrojtës krahu dhe për të bllokuar goditjet e dënimit të armikut, që janë kërcënimi kryesor i skuadrës londineze. Tek anglezët tashmë duket i sigurt aktivizimi i Drogbasë mes radhëve të Çelsit. Londinezët shpresojnë se më në fund është viti që të ngrenë Champions-in e “mallkuar dhe fitorja në ndeshjen e parë ka rritur vetëvlerësimin e Roberto Di Mateos: “Favoritja? Në këtë pikë kemi të njëjtat mundësi, do të thosha 50/50. Do të jetë shumë e vështirë, humbja në ‘El Clasico’ nuk do të influencojë të Barça. Është një skuadër me eksperiencë të madhe dhe di të menaxhojë situata të tilla”. Por kjo është një ndeshje që mund të vendosë për historinë e “Blues”-ave: “Ne jemi gati. Lojtarët do të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, unë nuk mund të bëj llogari para ndeshjes”. Frenk Lampard është gati për një surprizë tjetër. Në ndeshjen e parë luajtëm një ndeshje me nivel të lartë, tha ai. Taktikisht ishim të vendosur shumë mirë, duke luajtur në mënyrë solide dhe pa lënë hapësira: ata janë vrasës në sulm, të ndëshkojnë me rastin e parë. Në Barcelonë do të jetë një tjetër histori, por ne do të japim maksimumin për të arritur finalen”. Sulmuesi spanjoll i Çelsit, Fernando Torre, është i gatshëm për sfidën e dytë: “Është e qartë që Barcelona mbetet favorite, në 5 vitet e fundit ka luajtur gjithnjë në gjysmëfinale. Ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen dhe finalen. Në futboll nuk fitojnë gjithnjë skuadrat më të mira”, përfundoi Torres.

Lart: 18°C
Ulet: 10°C

18°C

Nesër

Lart: 24°C Ulet: 11°C

Pasnesër

Lart: 24°C Ulet: 12°C
© 2006-2013 Gazeta SHQIP. All rights reserved.