Më e lehtë të nxjerrësh licencën në bashki, sesa të gjesh një vend qëndrimi për taksi. Ky është problemi me të cilin përballen drejtuesit e taksive në Tiranë. Por kjo bëhet shumë e lehtë, nëse do paguash nën dorë, kryetarit të sindikatës së taksive, Gëzim Bardhi, i cili falë lidhjeve të tij me punonjësit e bashkisë, arrin të gjejë vendin e stacionimit, duke të pajisur me të gjithë bazën logjistike, ndërsa duhet të paguash të paktën 15 000 lekë për person. Gazetarët e “Fiks Fare” kanë kontaktuar pikërisht me kryetarin e sindikatës së taksive, duke i kërkuar atij gjetjen e një vend parkimi për taksitë. Ndërkohë që në bisedë me ta, Bardhi ka marrë përsipër “ndërhyrjen e tij te bashkia, ku sipas tij, do legalizojë vendqëndrimin e stacionit, si dhe do vendosë vijëzimet, tabelën. Për të legalizuar stacionin Bardhi u ka kërkuar gazetarëve, që të bëhen pjesë e sindikatës së taksive, ku dihet të paguajnë çdo tre muaj 10000 lekë. Ndërsa për gjetjen e vendit, ai do ndërhynte në bashki dhe u ka kërkuar gazetarëve 50 000 lekë, që sipas tij do jua jepte drejtorit për dhënien e lejeve dhe miratimin në këshillin e bashkisë të stacionit të taksive. Gjithashtu, kreu i sindikatës është shprehur se “për zënien e një stacioni duhet të paktën të bëhen 3 – 4 taksistë, ku secili taksist do të paguajë lekët nën dorë për zënien e vendit. Po kështu, taksistët duhet të mbrojnë vetë vendin, për të mos lejuar taksistët e palicencuar të stacionojnë në vendin e tyre”.
Pas kontaktit me kryetarin e sindikatës, gazetarët kanë kontaktuar me disa taksistë. Sipas tyre “për zënien e stacionit të taksive të tyre, ata kanë paguar nën dorë. Sipas tyre që nga tabela, vijëzimi deri te zënia e vendeve ata kanë paguar. Ndërsa na sugjerojmë që të takojmë kryetarin e sindikatës së taksive edhe ai do racionin e tij. Po kështu, taksistët shprehen se nuk kanë të drejtë parkimi në vendet e stacionimit të taksive, por vetëm në vendin që u është miratuar atyre. Çfarë do të thotë që nëse taksistët kryejnë transportin e pasagjerëve, vetëm mundet t’i dërgojnë ata në destinacion. Ndërsa nuk lejohet të qëndrojnë në stacionin tjetër, por duhet të kthehen bosh sërish në stacionin e tyre. Një tjetër taksist shprehet se “prej 2 – 3 vitesh, ai së bashku me kolegët e tij kanë përfunduar në rajonin e policisë, për shkak të rrahjes së tij me taksistë të palicencuar që kanë hyrë në stacionin e zënë prej vitesh prej tij. Sipas tij, sindikata vetëm sa i ka konfrontuar taksistët dhe nuk ka afruar asnjë zgjidhje. Kjo ka bërë që taksistët të konfrontohen shpesh fizikisht, duke përfunduar të plagosur nëpër spitale”.