Revolta
“Do hyj në grevë urie dhe do kërkoj ndihmën e SHBA-së. Nëse heshtin, nuk më mbetet rrugë tjetër”
Hysen Likdisha
Kryefamiljari i të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë”, Abdulla Katuçi në Gurrë të Matit, kërkon me insistim që t’u jepet fund akuzave se në banesën e tij është kryer transplant i organeve jetësore të ushtarëve serbë, gjatë luftës në Kosovë, ose kërcënon se do të vetëvritet. “Kërkoj që t’i jepet fund ankthit 8-vjeçar të hetimeve që prokurorët dhe hetuesit e EULEX-it kanë nisur mbi bazën e akuzave të Karla Del Pontes dhe Dick Marty se në shtëpinë time është bërë transplant organesh i ushtarëve serbë. Shtëpia ime po shihet në të gjithë botën dhe nuk mund të durojmë më shpifjet që bëhen për ne, pasi janë shpifje që nuk mund të durohen. Janë aq të pabaza sa të bëjnë që t’ia heqësh vetes. Nëse nuk do gjej zgjidhje, atëherë unë do të vras veten”, thotë 81-vjeçari tejet i mërzitur. Ndërkohë, ai nuk harron të përsërisë detajet e treguara para tetë viteve, që lidhen me kontrollet e ushtruara në shtëpinë e tij, madje edhe pa lejen e autoriteteve përkatëse. “Në pranverën e vitit 2004 në shtëpinë time kanë ardhur hetues apo prokurorë nga 7 krajli të botës”, tregon Abdullai. Ky grup prokurorësh që shoqërohej edhe nga ish-prokurori i Burrelit, Arben Dyla, kontrolluan të gjitha dhomat e shtëpisë, duke na lënë familjarisht për dy net me radhë të banojmë në çadër, pasi shtëpia u helmua prej tyre. Katuçët vazhdojnë të pretendojnë se lënda helmuese e hedhur në shtëpinë e tyre ka dhënë më pas pasoja negative për ta. “Të mendosh gjithë këtë kalvar vuajtjesh të familjes tonë bëhet krejt e pakuptueshme indiferenca e organizmave shtetërorë. Kjo, pasi unë së bashku me djalin, Mersinin prej 8 vitesh, s’kemi lënë vend pa shkuar për këtë problem, por askush nuk na e ka hapur derën”, thotë kryefamiljari, Abdulla Katuçi. Më tej, ai shprehet se nuk i ka mbetur rrugëzgjidhje tjetër. Fillimisht thotë se familja e tij do të hyjë në grevë urie, ndërkohë që shton se i ka dërguar letër Kryeministrit të vendit, Sali Berisha dhe Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Ai kërkon edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të hetojë akuzat dhe t’i japë fund kësaj historie duke zbardhur të vërtetën. “Do të hyj në grevë urie, do të kërkoj ndihmën e Ambasadës Amerikane ose duhet të vras veten”, u shpreh i moshuari. Në javën që kaloi, ai ka zbritur në qytetin e Burrelit dhe i është drejtuar godinës së Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Mat, ku pasi tentoi të kontaktojë me zyrtarë të organit të akuzës, ai u shpreh se kishte menduar të hynte në grevë urie para prokurorisë. 81-vjeçari shkon më tej, duke pohuar se do të vetëvritet nëse greva e urisë dhe Ambasada Amerikane nuk do ta zgjidhin hallin e tij. Ndërkohë, të zotët e të ashtuquajturës “Shtëpi e Verdhë”, Katuçët, në 2011, kanë paditur në Gjykatën e Tiranës, raportuesin e Këshillit të Europës Dick Marty për dëmin moral që me akuzat e tij të pabaza u ka shkaktuar atyre. Familjarët kërkojnë nga raportuesi i Këshillit të Europës të paguajë një shumë prej 10 milionë lekësh, si dhe të përgënjeshtrojë raportin, i cili bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplant organesh të ushtarëve serbë nga ana e ish- ushtarëve të UÇK-së.