Paradite publikohen 18 garuesit. Kuvendi: Nuk është bërë asnjë njoftim
Kuvendi publikon 18 emrat e kandidatëve për kreun e KQZ-së, por në mënyrë të papritur ka fshirë njoftimin, duke bërë sikur kjo nuk kishte ndodhur. Kur të gjitha mediat u mbushën me lajmet e shpalljes së 18 konkurrentëve për kreun e KQZ-së gjatë mesditës, në orët e pasdites, njoftimi përkatës nuk ekzistonte më. Nuk dihet arsyeja se pse Topalli ka dhënë urdhër nëpërmjet punonjësve të lartë të administratës për heqjen e emrave të publikuar më parë. Burime zyrtare të Kuvendit, të kontaktuara nga gazeta “Shqip”, bënë të ditur se “nuk ka pasur asnjë emër të shpallur si kandidat për kreun e KQZ-së”. Ky qëndrim i shton më tepër enigmat e arsyes së emrave të nxjerrë në uebin e Parlamentit, me faktin se mund të dalë ndonjë emër surprizë për postin e kreut të KQZ-së. Sipas kriterit ligjor, për të qenë kryetar i KQZ-së duhet që kandidati: a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç; b) të jetë me arsim të lartë; c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme: i) në fushën e së drejtës; ii) në administratën publike; iii) në administrimin e zgjedhjeve; iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive e të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike; ç) të mos jetë i dënuar penalisht; d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit; dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit; e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat e Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës”. Në njoftimin e shpallur fillimisht nga Kuvendi, rezultonte se janë 18 kandidatë për postin e kreut të KQZ-së: Neritan Kalamishi, Anton Lleshaj, Marsida Xhaferllari, Kastriot Frashëri, Haki Mustafa, Sajmir Vishaj, Gaspër Kokaj, Sokol Hasani, Myrteza Myftari, Sokol Ago, Muharrem Noka, Endrit Reka, Etleva Paplekaj, Kozeta Vuksanlekaj, Kristaq Kume, Lefterie Lleshi, Altin Qoshja dhe Agron Haxhimihali. Ndërkaq, Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të zhvillojë seancat dëgjimore me konkurrentët për postin e kreut të KQZ-së. Ndërkohë që ky komision miratoi katër emrat e propozuar nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për anëtarë të KQZ-së. “Komisioni i Ligjeve i shqyrtoi propozimet e kandidaturave: zonja Vera Shtjefni dhe zoti Hysen Osmanaj të propozuar nga Partia Demokratike, zonja Albana Shtylla e Denar Biba të propozuar nga Partia Socialiste. Unë propozoj që të konkludojmë se kandidaturat i plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 12, pika 2 e Kodit Zgjedhor”, deklaroi Viktor Gumi. B.HOTI
Lista e kandidatëve
1. Neritan Kalamishi, drejtor i Hipotekës, Shkodër
2. Anton Lleshaj
3. Marsida Xhaferllari, Ministria e Drejtësisë
4. Kastriot Frashëri
5. Haki Mustafa, kreu i minibashkisë nr. 11
6. Sajmir Vishaj, avokat
7. Gaspër Kokaj, ish-nënkryetar i KQZ
8. Sokol Hasani, ish-zv.drejtor i ALUIZNI
9. Myrteza Myftari, avokat
10. Sokol Ago, gjyqtar në Përmet
11. Muharrem Noka
12. Endrit Reka, shoqëria civile
13. Etleva Paplekaj
14. Kozeta Vuksanlekaj
15. Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ
16. Lefterie Lleshi (Luzi), anëtare e KLD, drejtore juridike në Kuvend
17. Altin Qoshja, avokat i prokurimeve
18. Agron Haxhimali, drejtor i Shoqatës së Komunave