Një grup reporterësh dhe gazetarësh janë solidarizuar sot me grevën e ish-të përndjekurve politikë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të mbështesin kauzën e grevistëve të urisë. Ata kanë paralajmëruar zhvillimin e një tubimi përpara Kryeministrisë, të dielën në orën 12:00, në shenjë proteste për shurdhërinë e pashpirt që po tregojnë institucionet publike ndaj sakrifikimit sublim të tre qytetarëve shqiptarë.


Gazetarët kanë kërkuar nga kryeministri Sali Berisha të takohet menjëherë me grevistët, t’u kërkojë atyre ndjesë për fyerjet dhe injorimin që i ka ofruar deri më sot dhe të nisë punën për një zgjidhje për kërkesat e tyre.


Deklarata e plotë e grupit të gazetarëve  është si më poshtë:


“Ne, gazetarët shqiptarë, solidarizohemi me grevën e ish-të përndjekurve politikë dhe i konsiderojmë kërkesat e tyre moralisht dhe ligjërisht të drejta! Gjatë ditëve të fundit, jemi detyruar të raportojmë për ngjarjet rrënqethëse të vetëdjegies së tre qytetarëve.


Sakrifikimi sublim i këtyre tre qytetarëve për fat të keq ka hasur në shurdhërinë e pashpirt të institucioneve publike, para së gjithash, kryeministrit Sali Berisha. Duke qenë se ne jemi edhe qytetarë, përveç të qenit gazetarë dhe duke qenë se grevistët ish të persekutuar politikë janë praktikisht sot jetimë politikë, në protestë kundër partisë që teorikisht mbështet kërkesat e tyre dhe në përpjekje për t i dhënë fund valës së vetëdjegieve nga dëshpërimi dhe indiferenca, bëjmë këtë deklaratë publike:


Kryeministri Sali Berisha duhet të takohet menjëherë me grevistët, t’u kërkojë atyre ndjesë për fyerjet dhe injorimin që i ka ofruar deri më sot dhe të nisë punën për një zgjidhje afatgjatë, të ndershme dhe financiarisht të përballueshme nga buxheti i shtetit për pretendimet e tyre. I lutemi ish- të përndjekurve politikë dhe të gjithë të dëshpëruarve në Shqipëri, të ndalin grevat vetësakrifikuese dhe të përdorin metoda të tjera të protestave qytetare.


I kërkojmë Policisë së Shtetit të mos i rikthehet metodave të dhunshme që Shqipëria ka parë gjatë viteve ’95- ’97, të heqë menjëherë rrethimin ndaj grevistëve dhe të ndalë keqtrajtimin e tyre. Veprimet e policisë janë tërësisht të kundraligjshme dhe përbëjnë shkelje të Kushtetutës. I bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen me kauzën e ish të persekutuarëve, si një kauzë e drejtë, zgjidhja e të cilës bën të mundur që asnjë shqiptar të mos dënohet në të ardhmen për bindjet e tij politike.


Dëmshpërblimi i ish- të persekutuarve nuk është vetëm një masë ligjore për këta njerëz. është hapi që parandalon përsëritjen e vuajtjeve që shkaktohen nga regjimet totalitare.Ditën e diel, datë 14 tetor 2012, ora 12:00 do të organizohet një protestë para selisë së kryeministrit”.


13 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)