PËLLUMB KARAMETA


Pellumb KarametaMediat njoftojnë se struktura e arsimit parauniversitar do të ndryshojë shtatorin që vjen. “Arsimi fillor bëhet me gjashtë klasë. Pra, nëse sot, një nxënës i klasës së gjashtë ka rreth 10 tekste, kur fillorja të bëhet 6 vjet, ai do të ketë jo më shumë se 5 libra, të cilat do të jepen nga një mësues i vetëm. Matematika, gjuha shqipe dhe ajo e huaj do të jenë libra më vete, ndërsa lëndët e tjera, shoqëroret, do të përmblidhen në një të vetëm, e po ashtu dhe ato të shkencave të natyrës. Specialistët thonë se kalimi nga sistemi 5+4 në 6+3 mundëson standarde të arritjeve të nxënësve të krahasueshme me shumicën e sistemeve të tjera arsimore europiane. [http://gazetadita.al]. “Gjatë periudhës 6-12 vjeç – pohojnë autorët e tij – mbizotëron kryesisht të menduarit konkret, më pas ai abstrakt. Dallimi përcakton përmbajtjen e lëndëve dhe metodat mësimore në secilën prej dy fazave. Me strukturën aktuale, ku cikli fillor zgjat pesë vjet, nisin më herët nga sa duhet dozat e të menduarit abstrakt nga sa munden nxënësit në përgjithësi”. [http://www.izha.edu.al]


Ndërkaq, ka argumente që bindin se ky ndryshim është thjesht kallajisje e radhës. Ai nuk e shndërron shkollën në mjedis miqësor për fëmijët, ku arrihet arsimi cilësor për të gjithë, drejtësia shoqërore dhe barazia e mundësive, përmes qasjeve pedagogjike efikase.


1)    A është e vërtetë se ndryshimi i strukturës siguron suksesin e munguar të fëmijëve tanë? Në kontekstin e arsimit shqiptar, jo zhvendosja mekanike e kufirit të shkollimit me një vit, por reformimi modern i shkollës, varësisht karakteristikave dhe konteksteve tona shqiptare, është faktori kyç i suksesit që kërkojmë. Këtu kulmon ndryshimi kurrikular që respekton veçoritë e zhvillimit të nxënësve; organizon strukturën mbi bazën e cikleve shkollore; saktëson qëllimet dhe detyrat e çdo cikli dhe niveli arsimor; integron qëllimet edukative me situatat e nxënies dhe burimet e nevojshme; forcon rolin e nxënësit si ndërtues aktiv i njohurive të reja dhe kompetencave kyçe dhe specifike; shton gradualisht numrin e mësuesve (të formuar si duhet në shkollat e larta) dhe rrit përgjegjësinë, llogaridhënien dhe transparencën e shkollës ndaj familjeve dhe komunitetit etj. Më tej.


2)    A është e vërtetë që, pikërisht, mosha 12-vjeçare është pragu ku ndryshon cilësia e të menduarit të fëmijës, madje, shkak për të përshtatur strukturën e re? Po të jetë vërtet kështu, IZHA dhe MASH duhet t’ua kumtojë zbulimin e tyre vendeve ku shkollimi fillor përfundon përpara ose pas kësaj moshe. Më së pari, ShBA-së, ku nxënësit e përfundojnë shkollën fillore në moshën 10 vjeç. Pastaj, Anglisë, Francës, Çekisë ose Kosovës (11 vjeç), por edhe Gjermanisë, Finlandës, Polonisë (13 vjeç).


Përvojat e mira tregojnë se risia që ndikon suksesin e shkollimit nuk lidhet me strukturën që respekton këtë cak moshor (12 vjeç), por me strukturën që bazohet mbi ciklet. Struktura aktuale e sistemit ka vitin shkollor si njësi kohe, brenda së cilës nxënësit duhet të përvetësojnë sasi të caktuara dijesh dhe shkathtësish, për t’u shpallur fitues ose jo. Ndryshimi, që ka sjellë përmirësime të dukshme, konsideron si njësi ciklin me dy ose tre vite shkollorë. Kjo do të thotë që, jo kohëzgjatja e shkollimit fillor (5 apo 6 vite), por organizimi i tij në cikle (p.sh., 2+3 ose 2+2+2) shërben në përmirësimin e rezultateve të fëmijëve. Kështu, u sigurohet shkollës dhe mësuesve më shumë kohë për të individualizuar ndihmën, sepse jo të gjithë fëmijët zhvillohen me ritëm të njëjtë. Përmirësohet cilësia e shkollimit për të gjithë; ndihmohet realisht procesi i zhvillimit të çdo nxënësi dhe shmanget nevoja për përsëritjen e vitit. “Mbetja në klasë” indukton te fëmija ndjenjën e dështimit (pse jo, braktisjen e shkollës), pa u adresuar dhe pa u zgjidhur problemi nga shkolla dhe mësuesit. Gjatë ciklit, nxënia organizohet jo nga një, por nga disa mësues, ndërsa qasjet individuale të çdo mësuesi zëvendësohen me qasjen ekipore të disa mësuesve. Organizimi i ri bën që mësuesit të përgjigjen në grup për cilësinë e edukimit të çdo nxënësi, duke bërë përgjegjëse për cilësinë shkollën si institucion. Më tej.


3)    A mund të jetë efikase struktura e re, kur mësuesit e shkollës fillore nuk zotërojnë kompetencat profesionale të kërkuara? Mësuesit në nivelin fillor (nuk janë pak, por afro 20 mijë) janë përgatitur (në rastin më të mirë) nga shkollat e larta të zhvillojnë dije disiplinore, shkathtësi e qëndrime të nivelit të kl. IV. Është kjo arsyeja reale pse, edhe sot, mjaft lëndë në kl. V (që i përket shkollës fillore) zhvillohen nga mësuesit e shkollës 9-vjeçare. Por, edhe këta të fundit, janë formuar të zhvillojnë vetëm lëndën e tyre dhe nuk i njohin sa e si duhet veçoritë e punës me fëmijët e shkollave fillore. Kur reforma të ndryshojë strukturën dhe kurrikulën e sistemit arsimor, konflikti mes kompetencave profesionale të mësuesve dhe synimeve të reformës do të ashpërsohet më tej. Së pari e mbi të gjitha, sepse është e vështirë të ndryshohet ajo që mësuesi ka bërë tradicionalisht në klasë (transmetimi i njohurive të përpunuar paraprakisht), pa ndryshuar filozofinë e tij, konceptet rreth zhvillimit psikologjik të fëmijëve dhe pikëpamjet rreth shkencës dhe arteve. E, meqenëse cilësia që ofron sistemi arsimor nuk mund ta kalojë cilësinë e mësuesve të tij, kuptohet lehtë se çfarë soj ndryshimi planifikohet të na ofrohet. Më tej.


4)    A zvogëlohet ngarkesa arsimore, duke reduktuar numrin e teksteve shkollore? Specialisti i vërtetë as në mendje nuk e shpie këtë, sepse ngarkesa mësimore nuk është funksion i një parametri. Ajo ndikohet nga shumë të tillë, disa prej të cilëve i përmenda më sipër, por ndikohet jo pak edhe nga “koha mësimore”. Kam pohuar në disa shkrime që në vendet e OECD, numri i ditëve në një vit shkollor luhatet nga 180 – 200 ditë (Franca & Gjermania & Kebeku 180 ditë; Kosova 185 ditë; Kanadaja & Finlanda & Anglia 190 ditë; Italia 200 ditë etj.). Ndërsa, në Shqipëri, çdo nxënësi i ofrohen sot jo më shumë se 175 ditë mësim në vit (!) Gjithashtu, në harkun kohor 7-14 vjeç, çdo nxënësi shqiptar i ofrohen sot 2480 orë më pak, çka do të thotë se treguesi ynë i kohës është sa 63% e vlerës mesatare të këtij treguesi në vendet e OECD (!!). Si mund të zvogëlohet atëherë ngarkesa kur, thuajse e njëjta sasi informacioni që shtjellohet në tekstet europiane, shtjellohet dhe në tekstet tona të matematikës, fizikës, biologjisë, gjeografisë etj., por brenda një kohe tejet më të shkurtër?


Ngarkesa ndikohet fort edhe nga filozofia e reformës kurrikulare. MASH-i po propagandon me të madhe zvogëlimin e numrit të teksteve, çka po e bën mekanikisht (“bashko këtë me atë”). Në MASh, duket as që e kanë kuptuar se në themelin e filozofisë reformuese qëndron organizuesi i ri kurrikular – logjika e kompetencave. Ky organizues ka zëvendësuar organizuesin e vjetër “pedagogjinë me objektiva” që e bazon kurrikulën mbi dijet disiplinore. Organizuesi i ri bën që programet arsimore (jo lëndore) të mos synojnë më pajisjen e nxënësve me dije disiplinore, të themi, matematike, por ta ndihmojnë nxënësin të ndërtojë kompetencën për të përdorur matematikën në dobi të kërkesave të tij. Theksi, tani, po zhvendoset nga vëllimi i dijeve matematike të kodifikuara në program, te situatat (vizita në treg, përgatitja e matësit të shiut etj.), te veprimet që kryen nxënësi (identifikimi i sasive, formave etj.) dhe te burimet që i vihen atij në dispozicion (mësuesi, dijet matematikore, qëndrimet, materialet didaktike e rrethanore etj.). Deri tani, programi arsimor i çdo lënde është hartuar nga një ekip i formuar me specialistë të disiplinës dhe mësues të lëndës. Ndërsa, programet e reformuara hartohen nga specialistë të fushës së nxënies dhe të kurrikulës, të asistuar nga gjuhëtari, matematikani, historiani, informatikani etj. Sepse kompetenca, të themi matematike, nuk mjeshtërohet vetëm në orën e matematikës, por edhe në situatat që nxënësi i ndesh në fushat e tjera të nxënies, sipas një cikli që nuk respekton nivelet e taksonomisë së B. Bloom-it. Po kështu, kompetenca e komunikimit nuk mjeshtërohet vetëm në orët e gjuhës, por edhe në situatat e larmishme matematike, historike, informatike, muzikore etj. Prandaj, reduktimi i ngarkesës mësimore nuk vjen as nga vendosja e lëndës së informatikës që në kl. I dhe as nga zvogëlimi i numrit të teksteve, sikundër ka planifikuar MASh-i ynë, por nga modernizimi i mënyrës si konceptohet kurrikula dhe përgatitja e programeve arsimore, që zhvendos theksin nga dijet disiplinore, te ndërtimi i njohurive të reja dhe zhvillimi i kompetencave kyçe dhe të veçanta. Së fundi, por e para në vlerë.


5)    A do ta cenojë struktura e re pajtueshmërinë e sistemit arsimor të Shqipërisë me atë të Kosovës? Plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje. Më së paku, për dy arsye bazale. 1) Kosova, në vitin 2001, përcaktoi strukturën e sistemit sipas formulës 5+4+3. Ajo po e ruan këtë strukturë edhe me reformën e tanishme. Çuditërisht, qeveria shqiptare planifikon ta ndryshojë këtë strukturë në 6+3+3, bazuar në pseudo-argumentet që preka më sipër. 2) Pajtueshmërinë e shkatërron vetë dallimi në filozofinë e konceptimit të kurrikulës. MASh vijon të promovojë kurrikulën që bazohet mbi dijet disiplinore, ndërsa reforma kurrikulare në Kosovë orientohet nga logjika e kompetencave. Këto qasje janë diametralisht të kundërta. Përfundimi: strukturat dhe kurrikulat e dallueshme cenojnë fort pajtueshmërinë e sistemeve arsimore. Ja përse integrimi gjuhësor, historik etj., i breznive të reja, këndej dhe andej kufirit, i artikuluar nga Sala, është thjesht e vetëm slogan fushate. Vërtet, për të ardhur keq!