Shoqata e Ndërtuesve dhe Enti i Banesave po shqyrtojnë alternativat e reja për shtëpitë e pashitura
Të dhëna
Kreditë – Enti i Banesave ka pezulluar procesin e aprovimit të kredive të buta për komunitetin, pasi ky institucion po verifikon listat e përfituesve aktualë
Bashkia – Pushteti vendor, Bashkia e Tiranës nuk e aprovon shkresën e Entit të Banesave. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të shqyrtohen aplikimet e reja për kredi të butë
Fondi – Në dispozicion të komunitetit do të vendoset edhe fondi nga i cili duhet të përfitonin zyrtarët e lartë për strehim, i shfuqizuar javën e kaluar
Lorina Mixha

Banesat stok, të gjitha ato apartamente të pashitura deri tani, me sipërfaqe modeste do të përfshihen në listën e shtëpive që do të blihen me kredi të butë.
Përqindjet e sakta se sa do të jetë kredia, 3 për qind, 4 për qind apo më shumë, do të vendosen brenda këtij viti.
Madje, nëse auditi i Ministrisë së Zhvillimit Urban mbyllet brenda gjashtë muajve të parë të vitit, atëherë panorama do të jetë edhe më e qartë. Ministria e Zhvillimit Urban, Enti i Banesave dhe Shoqata e Ndërtuesve, do të vendosin se si do të procedojnë për çështjen e banesave të mbetura stok, të cilat nuk janë shitur dhe gjenden gati për të përmbushur funksionin e tyre për banorët.
Janë rreth 30 për qind e ndërtimeve të ngritura dhjetë vitet e fundit, të cilat rezultojnë të pashfrytëzuara, të pashitura dhe në gjendje pune. Por, nga këto 30 për qind, pritet të merren ato banesa modeste, me sipërfaqe mesatare apo edhe të vogla, metrat katrorë të së cilës do të shiten në formën e kredisë së butë, por që në këtë rast ka kushte të përcaktuara qartë për t’u përfituar.
Po ashtu, mekanizmat e kontrollit për përfituesit pritet të shtrëngohen më tej, pas abuzimeve të konstatuara nga Ministria e Zhvillimit Urban në dhjetor të vitit të kaluar dhe inspektimeve të Entit Kombëtar të Banesave.
Kreditë
Enti Kombëtar i Banesave u ka dërguar bashkive në të gjithë vendin shkresën ku u komunikon pezullimin e procesit të kredidhënies me interesa të ulëta për të gjithë të pastrehët, por, nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka deklaruar se kjo kërkesë është e paligjshme, duke pasur parasysh se në procesin e aprovimit të kredive për të pastrehët ka qenë pjesë edhe institucioni i Entit të Banesave.
Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban, të gjithë ata që kanë abuzuar me kreditë me interesa të ulëta kanë shkaktuar evazion fiskal dhe do të paguajnë shtëpitë e blera me interesat e tregut dhe jo me interesat favorizuese që kanë marrë nga politikat sociale.
Ministria e Zhvillimit Urban, së bashku me Shoqatën e Ndërtuesve, janë duke identifikuar stoqet e banesave dhe mundësitë për të ndryshuar procedurat e përfitimit të strehimit, duke gjetur edhe alternativa të reja përfitimi për të pastrehët.
Shoqata e Ndërtuesve dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe konkretisht Enti i Banesave, janë duke gjetur një rrugë të mesme se si do të procedojnë për çështjen e dhënieve të kredive të buta, si do të organizohet shpërndarja e banesave të mbetura stok, nëpërmjet ankandit, nëpërmjet një alternative tjetër apo do të vendosen prioritete si për zonat ku ndodhen apartamentet ashtu edhe për përfituesit.
Aktualisht, në tregun privat, ndërtimet e pashfrytëzuara janë të përqendruara kryesisht në zonat periferike, si Kashar, Dajt, Farkë apo Allias.
Politikat
Sakaq, javën e kaluar, Ministria e Zhvillimit Urban ka deklaruar se është shfuqizuar vendimi nga i cili zyrtarë të lartë të shtetit përfitonin fonde deri në 5 milionë lekë të reja për strehim në formën e kredisë së butë. Fondi i parashikuar për këtë qëllim do t’i kalojë pushtetit vendor, ose projekteve të tjera të strehimit për komunitetin dhe jo më për funksionarë të shtetit.
Kreditë e buta të dhëna nga bashkia dhe auditi i famshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Entit të Banesave, ka sjellë çeljen e një lufte të ftohtë mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Bashkia e Tiranës nuk ka në plan të pezullojë dhe të bllokojë procesin e dhënies së kredive të buta dhe aplikimet.
Enti i Banesave u ka dërguar bashkive në të gjithë vendin urdhrin për pezullimin e dhënies së procedurave, aplikimeve dhe miratimeve të kredive të buta nga ana e pushtetit vendor.