Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2010, kur u raportuan manipulime masive, dita e djeshme kaloi shumë mirë



Kosova duket se kaloi me sukses dje testin për të zhvilluar zgjedhje të pranueshme, pasi dita e votimit kaloi e qetë dhe me pak incidente të vogla të raportuara. Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2010, gjatë së cilave u raportuan “manipulime në shkallë industriale”, si dhe incidente të armatosura me viktima, të cilat sollën rivotime në një pjesë të madhe të vendit, si dhe përndjekjen penale të mijërave komisionerëve, zgjedhjet e djeshme nuk panë asgjë të tillë.


Problemet kryesore të raportuara nga një koalicion organizatash jofitimprurëse, si dhe nga media, qenë votimi familjar.


Prokuroria dhe Policia e Kosovës qenë në gatishmëri dhe kryen arrestimin e një personi që kreu telefonata të dyshimta, duke pyetur njerëzit nëse kanë votuar apo jo. Në zonat e banuara nga serbët, ku zgjedhjet për pushtetin vendor 2013 nuk u zhvilluan në ditën e caktuar, si pasojë e veprimtarisë së grupimeve ekstremiste të dhunshme, dje nuk u shënuan incidente.


Pas mbylljes së procesit të votimit, partitë e opozitës nuk patën ankesa për mënyrën e kryerjes së procesit të votimit, por bënë thirrje për “korrektësi” në procesin e numërimit. Ndërsa orët kaluan gjatë procesit të numërimit, nuk pati ankesa për probleme të mëdha.


Ndryshe nga Shqipëria, ku që nga viti 2005 votat numërohen në 100 qendra zonale dhe jo në qendrat e votimit, në Kosovë numërimi kryhet në të gjitha qendrat e votimit, gjë që mundëson shpalljen e rezultatit vetëm disa orë pas mbylljes së votimit.


Kronika e ditës zgjedhore orë pas ore


07:00 Hapen zgjedhjet në 2374 qendra votimi, 1 782 454 banorë të Kosovës kanë të drejtë vote. Rreth 30 parti politike e koalicione marrin pjesë në zgjedhje.


09:10 Milivoje Mihajlovic, zëdhënësi i qeverisë së Serbisë, u bëri thirrje serbëve të Kosovës të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e Kosovës dhe të fitojnë sa më shumë deputetë të jetë e mundur. “Mendoj se serbët do të dalin dhe të marrin një pjesë të madhe në Parlamentin nga ku varet e ardhmja e tyre”, tha Mihajlovic.


10:00 Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, votoi në Prishtinë dhe i bëri thirrje popullsisë të marrë pjesë në votime.


11:00 Kreu i misionit vëzhgues të Bashkimit Europian, Roberto Gualtieri, tha se votimet po ecin mirë. Gjatë vizitës së tij në një qendër votimi në Prishtinë, ai tha se prania e vëzhguesve të BE-së do të sigurojnë zgjedhje paqësore dhe të rregullta.


11:20 Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo është një “ditë historike” për vendin. “Besoj se Kosova, populli i saj dhe spektri politik, do t’i dërgojnë mesazhin më të mirë botës se demokracia po vepron dhe po zhvillohet në Kosovë, ndërsa pluralizmi po dominon”, tha ai.


11:28 Komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina, tha në qytetin e ndarë të Mitrovicës, se forcat e tij do të garantojnë sigurinë për të gjithë nënshtetasit e Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve.


11:55 Slobodan Dimitrijevic, kreu i Komisionit Elektoral të Mitrovicës së Veriut, deklaroi se nuk pa pasur parregullsi në 33 qendrat e votimit në këtë zonë, e cila dominohet nga popullata serbe.


12:02 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton pjesëmarrje shumë të ulët, vetëm 9.92 për qind deri në orën 11:00.


12:07 Albin Kurti, kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, tha se zgjedhjet qenë të rëndësishme për demokracinë dhe procesin e ndërtimit të shtetit në Kosovë. “Tashmë demokracia nuk është e mbyllur në sallat dhe dhomat e ndërtesave të institucioneve, por është e hapur në të gjithë Kosovën për të gjithë”, tha ai, pasi hodhi votën e tij.


12:28 Banorët e Kosovës ftohen të dërgojnë SMS për të raportuar manipulimet elektorale apo kërcënimet.


12:33 Bashkimi Europian lëshoi një deklaratë, ku shprehu dëshirën për të parë zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë. Sipas deklaratës, “Kosova ka bërë progres mbresëlënës në marrëdhëniet e veta me BE-në dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përgjatë dy viteve të fundit”.


13:02 Pjesëmarrja në zonat e populluara nga serbët është shumë e ulët. Në Mitrovicë kanë votuar vetëm 4,4 për qind, në Graçanicë 10 për qind, Stërpçe 11 për qind dhe Novo Bërto 8.6 për qind.


13:22 Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, shprehu kënaqësinë e tij me ecurinë e zgjedhjeve deri në mesditë. Ai tha se nuk ka parë parregullsi.


14:16 Zoran Mojsilovic, një kandidat nga lista serbe, tha se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte shumë e rëndësishme për të pasur një ndikim më të madh në politikën e Kosovës. “Unë shpresoj që ne, me ndihmën e Republikës së Serbisë dhe me njerëzit tanë në Parlamentin e Kosovës, do të kontribuojmë për bashkësinë e serbëve në Kosovë dhe Metohi, për ta bërë jetën më të lehtë”, tha ai.


14:22 “Demokracia në Veprim”, një koalicion organizatash jofitimprurëse që monitoruan zgjedhjet, tha se ka dalluar shumë incidente të vogla nëpër qendrat e votimit në të gjithë Kosovën. Sipas tyre, ka pasur mijëra raste të votimeve familjare dhe qindra raste të ndihmës së votuesve gjatë procesit të votimit.


14:28 Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk ka dalluar parregullsi në procesin e votimit.


14:35 Gjykata e Prishtinës njoftoi se ka hapur hetime ndaj një organizate jofitimprurëse, që e quan veten “Vota e Lirë”, për shkak se kjo organizatë ka kryer telefonata gjatë ditës së votimit, duke pyetur njerëzit se a kanë votuar dhe se ku kanë votuar. Dyshimet janë që në këtë mënyrë po mblidhej informacion për të mësuar se cilët nga njerëzit nuk ka ndër mend të votojë për të hedhur një votë ilegale në vend të tij.


14:52 Visar Arifaj, kryetari i Partisë së Fortë, i njohur për sarkazmën elektorale, u bëri thirrje të gjithë militantëve të të gjitha partive të votojnë. “Ata që nuk janë militantë, nuk ka nevojë të votojnë”, tha ai.


16:03 Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve raportoi se pjesëmarrja deri në orën tre pasdreke ishte 26.5 për qind.


16:46 Deri në këtë pikë janë dorëzuar 14 ankesa për parregullsi zgjedhore te paneli për ankesat zgjedhore.


17:00 Policia e Kosovës arreston një njeri të prezantuar si përfaqësues i organizatës “Vota e Lirë”, e cila pati kryer telefonata të shumta për të pyetur njerëzit nëse kanë votuar dhe nëse kanë ndër mend të votojnë.


17:34 Prokuroria e Kosovës tha se po heton shumë raste të raportuara për blerje vote gjatë ditës së zgjedhjeve. Rastet janë raportuar nga Mitrovica dhe Lipjani.


17:57 Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë me përgjegjësi deri në fund të procesit.


“Shpresoj se do të kemi më shumë pjesëmarrje përgjatë ditës dhe do të vijojmë të shohim sjellje të përgjegjshme edhe gjatë procesit të numërimit”, tha ambasadorja.


18:03 Një zyrtar serb i Komisionit të Zgjedhjeve tha se disa serbë nuk qenë lejuar të votojnë me dokumentet e tyre të lëshuara nga Republika e Serbisë në Pejë, Istog, Klinë dhe Fushë-Kosovë.


19:00 Zgjedhjet u mbyllën.


19:12 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi për pjesëmarrje 43 për qind përgjatë ditës së votimit.


20:09 Shumica e partive politike lavdëruan procesin elektoral. Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëri thirrje për numërim “korrekt”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk do ta pranojë rezultatin nëse do të ketë parregullsi madhore.


21:30 Raportime për mbushje kutish me vota në Skënderaj, krahina ku në vitin 2010 u raportuan manipulime masive të zgjedhjeve. Dje, prokuroria e zonës tha se i ka marrë raportimet për mbushje kutish dhe se po heton. Pas disa orësh, prokuroria njoftoi se ka pyetur komisionerët dhe nuk ka gjetur raste të mbushjes së kutive të votimit.