ARMANDO MOSHO


Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut është një traktat i cili konsiderohet si rregullues i rendit publik europian.


Kur themi rendi publik europian, flasim për vendet anëtare të Këshillit të Europës (aty ku dhe Shqipëria përket) dhe jo vendet e Bashkimit Europian. Nga kjo përkatësi, Shqipërisë i lindin detyrimet lidhur me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilën e gjejmë të shprehur në Kushtetutë në këto nene të saj:


Neni 5: Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.


Neni 17 i Kushtetutës së Shqipërisë lidhur me Konventën Europiane parashikon:


1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.


2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast, nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.


Pra, bazuar në këto nene të Kushtetutës, kur miratohet një ligj, duhet kontrolluar nëse është konform së drejtës ndërkombëtare.


Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut gëzon një status të veçantë në legjislacionin shqiptar, nuk ndodhet as mbi Kushtetutën, as nën Kushtetutën, por është e barabartë me të. Konventa Europiane është i vetmi traktat që ne i japim të njëjtën vlerë me Kushtetutën, sepse në të gjithë Kushtetutën nuk do të gjejmë asnjë konventë tjetër që ne e referojmë në mënyrë të shprehur. Siç shkruam më sipër, Neni 17, paragrafi i dytë i Kushtetutës thotë se, shteti shqiptar nuk mundet të ecë nën minimumin e të drejtave që parashikon Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Pra, referimi i konventës në Kushtetutë do të thotë se ato të drejta që përmban konventa patjetër që duhet të zbatohen, sepse përbëjnë standard minimal, por ndërkohë ligjvënësi shqiptar mundet vetëm të shtojë argumente mbrojtës të të drejtave të njeriut, pra të drejtat nuk mund të pakësohen. Pra shteti shqiptar ka detyrimin të bëjë ligje që duhet të dilnin në shtimin e të drejtave të njeriut dhe jo shuarjen komplet të së drejtës, siç ka ndodhur në rastin e ligjit të legalizimeve. Neni 122 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë na vendos detyrimin për të njohur marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.


1. Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë në sistemin e brendshëm juridik, pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji. Ndryshimi, plotësimi dhe shfuqizimi i ligjeve të miratuara me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për efekt të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, bëhet me të njëjtën shumicë.


2. Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.


3. Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit, kur në marrëveshjen e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për pjesëmarrjen në atë organizatë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i normave të nxjerra prej asaj.


Ky nen i Kushtetutës, në pikën 1 të tij, na nxjerr në pah gjithë ligësinë, inatin dhe mllefin deri në zbatimin final të një projekti kriminal në dëm të pronarëve të ligjshëm shqiptarë. Shteti shqiptar e ka ratifikuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 1996 dhe e ka botuar në Fletoren Zyrtare në tetor të vitit 2010. Pra, nëse do t’u qëndronim strikt ligjeve tona, konventa nuk duhej të zbatohej, sepse ne e themi në mënyrë të shprehur që pas botimit në Fletoren Zyrtare bëhet e zbatueshme dhe bëhet pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm. Me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut ka ndodhur ndryshe, sepse konventa ka karakter të vetëzbatueshëm, me momentin që ratifikohet, bëhet e zbatueshme drejtpërsëdrejti, sepse shumica e dispozitave të konventës kanë karakter të vetëzbatueshëm. Pra do të thotë që nuk është i nevojshëm miratimi i një ligji për të hyrë në fuqi. Pra, me ratifikimin e konventës në vitin 1996 kanë lindur dhe detyrimet për zbatim të saj. Pse ka ndodhur ky gap kohor, nga ratifikimi deri në shpalljen në Fletoren Zyrtare, cila është arsyeja?


Pavarësisht vonesës që Shqipëria i ka bërë botimit në Fletoren Zyrtare, çdo çështje, e cila është dërguar për gjykim në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, prej gjyqtarëve të saj, është konsideruar se Shqipëria ka ratifikuar konventën në vitin 1996, dhe si shtet ratifikues, gjendemi si palë që na lindin detyrimet. Në momentin që je palë e lartë kontraktuese gjendesh përpara detyrimeve për të zbatuar të drejtat dhe liritë, pra, e ke ose nuk e ke botuar në Fletoren Zyrtare, gjyqtarëve europianë aspak ju intereson.


Tani unë shtroj një pyetje: si është mundur kur kemi kaq shumë nene në Kushtetutë për të zbatuar konventat ndërkombëtare në lidhje me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të prodhohej ligji i legalizimeve? Ligj i prodhuar nga qeveria e kohës në cenim flagrant të të drejtave dhe lirive themelore të pronarëve të ligjshëm, votuar qorrazi në Parlament në shkelje të çdo konvente ndërkombëtare, dhe më pas si qershia mbi tortë vjen qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese, që cilëson cenimin e së drejtës së pronarëve të ligjshëm për posedimin e sendit, si interes publik të vjedhësve. A kanë pyetur vallë të nderuarit tanë të Gjykatës Kushtetuese, se si e mendon një ligjvënës gjerman këtë shpikje tonën?


Parë në këtë këndvështrim, ligji i legalizimeve është një ligj që bie ndesh me shumë nene të Kushtetutës dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Ky ligj do të mbahet në këmbë për aq kohë sa ata që kanë interesa direkte të gjenden në pushtet dhe natyrisht që projekti i nisur për gllabërimin e pronave pronarëve të ligjshëm nuk do të mund të vazhdojë edhe për shumë. Jam besimplotë se nuk gjendemi larg nga momenti ku të gjithë aktorët që i kanë bërë duart pis, do të japin llogari për situatën e krijuar dhe dëmin kolosal shkaktuar atdheut…


Duhet theksuar se çështjet e pronësisë të dërguara në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë 80% të çështjeve që Shqipëria i ka drejtuar kësaj gjykate. Fatura e prodhuar prej këtyre çështjeve është gjigante për një vend si Shqipëria, e shteti shqiptar e ka të pamundur pagesën e këtyre faturave. Keni parasysh këtë situatën aktuale ku ndodhemi sot me pagesën e energjisë elektrike, pasi u livadhis për dekada?! Nuk do të kalojë shumë dhe ata që kanë ndërtuar pa leje, do ta shohin shtetin në dyert e tyre ose për të paguar lekët kokërr më kokërr, ose të lirojnë hapësirën e pushtuar. Pse do të ndodhë kjo?


Vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të pronarëve shqiptarë përbëjnë një kërcënim serioz për Shqipërinë, sepse nëse ti je një vend që, në mënyrë të vazhdueshme, gjendesh në shkelje të të drejtave të njeriut, pasoja është përjashtimi nga Këshilli i Europës. Politikanët shqiptarë i njohin shumë mirë pasojat që sjell kjo gjë dhe kanë vendosur ende t’ua mbajnë të fshehur e t’i mpijnë me premtime legalizimesh, legalizime të cilat për gjithë sa u analizua më sipër, nuk kanë asnjë vlerë ligjore, sepse janë në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe pa diskutim do të zhbëhen në një moment të dytë.


Zoti e ru’jt’ Shqipërinë!