NDUE DEDAJ


Mjafton nganjëherë dhe një ngjarje e përmasave kombëtare që një qytet të meritojë cilësimin metropol, që zakonisht rezervohet për kryeqytetin. Qoftë dhe vetëm Festivali Folklorik Kombëtar, që zhvillohet prej gjysmë shekulli në Gjirokastër, e bën kryeqytetin e Jugut një metropol kulturor (si të mos mjaftonte “kronika” e gurtë arkitekturore e tij.) E njëjta gjë mund të thuhet për Shkodrën qoftë dhe vetëm për fototekën “Marubi”, unike në krejt Ballkanin (si të mos ishte kryeqyteti i Veriut me një qytetërim dy mijëvjeçar), për Durrësin e Amfiteatrit, Muzeut Arkeologjik e gjer “Poetekës” bashkëkohore, qendra këto që kanë dhe universitete, teatro etj. Pogradecit i jep një status të veçantë metropolitan jo vetëm fakti se “Lasgushin” e ndan mes vetes dhe kryeqytetit, po dhe nga Festivali Ballkanik i Filmit që mbahet aty përvit, ashtu siç Strugës i jep një identitet kulturologjik të dorës së parë Festivali Botëror i Poezisë, Butrintit – Festivali i Teatrit Antik etj.


Po Lezha pse na vjen në këtë qasje? Për Vendvarrimin mbretëror të Skënderbeut? Për origjinën e disa prej shkrimtarëve të letërsisë së vjetër shqipe dhe asaj të Rilindjes? Për se nxori në vitet ’70 të shekullit të kaluar disa nga poetët më elitarë të kohës? Apo se qe selia e parë e gazetës “Koha jonë” që shpejt u bë një nga gazetat kombëtare më në zë? Pa harruar disa visare të një natyre tjetër, si verën e famshme “Kallmeti”, lagunat e Shëngjinit, Malin e Velës etj. Për të gjitha këto Lezha mban një pasaportë identitare të vetën. Por cilësimi ynë për Lezhën “metropol kulturor” kësaj here lidhet me një fakt që pakkush e vë re me të parën, që na e solli ndër mend gazetari Ben Andoni në një shkrim të tijin të para pak javëve, në suplementin kulturor-letrar “Milosao”. Ai duke bërë fjalë për veprën e Fishtës, shkruante se “ka qenë fat i madh që një botues i pasionuar në Lezhë (Frano Kulli) vitet e fundit botoi veprën e plotë të Fishtës”. Botimi i një kolosi si Fishta, një fjalë goje! Botuesi Kulli, njëherësh publicist i njohur, ia hyri kësaj pune “me forcat e veta” rreth 15 vite më parë dhe ia doli mbanë pas një maratone të lodhshme. Nuk është se ai deshi të ishte i vetëm në këtë sipërmarrje, por sot nismat e rëndësishme botuese nuk gjejnë mecenatë e as bashkëpunimin e duhur. Ti si lexues do të kishe dashur që këtë superbotim ta bënin së bashku dy Akademitë e Shkencave, e Shqipërisë dhe e Kosovës, apo trinia universitare: Tiranë, Shkodër, Prishtinë, pa përjashtuar të tjerët. Po ja që këtë “aventurë” e ndërmerr një botues me mjetet e veta financiare, për më tepër në Lezhë, ku nuk mund të pritet ndonjë biznes kushedi i librit. Ky është një tregues që e bën Lezhën metropol, duke ia kaluar dhe vetë kryeqytetit. Ashtu siç nuk është e rastit që nga Lezha kemi sot studiuesin më të njohur të veprës së Fishtës, Tonin Çobanin, që ka mbrojtur doktoraturën me “Homerin Shqiptar” dhe i ka kushtuar atij disa libra studimorë. Në Lezhë, mbase në të vetmin qytet të Shqipërisë, është dhe shtatorja e Fishtës, qyteti ku poetit të Lahutës i është dorëzuar titulli i lartë “Nderi i Kombit”. Me emrin e Gjergj Fishtës është pagëzuar shtypshkronja e Lezhës (ku shtypin libra dhe autorë nga Mali i Zi), biblioteka publike ka një sallë me emrin e tij, ashtu si njëra nga shkollat e qytetit mban këtë emër. Të gjitha këto faktori kulturor i Lezhës dhe pushteti vendor, Këshilli i Qarkut, Bashkia e të tjerë i kanë bërë jo për ndonjë lavdi “krahinore”, por për të përmbushur një detyrim ndaj kulturës kombëtare dhe korifenjve të saj. Në të njëjtën vazhdë organet arsimore rajonale kanë nxitur punën me librin, duke futur në një vit në bibliotekat e shkollave rreth dy milionë lekë, me mbështetjen e donatorëve etj. Siç shihet ka një akord mes të gjithë aktorëve që të mos vdesë asgjë nga eposi fishtian. Teksa dhe njëri nga resortet më të mira turistike të vendit mban emrin “Mrizi i Zanave”. Kjo për sa i përket Fishtës e traditës, por Lezha vazhdon të ketë dhe përmasën artistike bashkëkohore kombëtare në disa rrafshe. Aty gjendet studioja e një nga piktorëve më të njohur shqiptarë, që kohët e fundit ka pasur një pranim dhe nga një galeri amerikane e promocionit të pikturës. Piktori i njohur kosovar Rexhep Ferri, në stilin e tij meditivo-filozofik, këto ditë i kushton një ese mjaft vlerësuese pikturës së Përvathit. Ashtu siç “Djemtë e detit”, me Gentian Demalinë e paharruar, kanë lënë gjurmën e tyre në “kaltërsinë” e këngës sonë moderne, një formacion muzikor lezhian që shkëlqeu në metropolin shqiptar në fundin e shekullit të kaluar. Mbarështimi i traditës me risimet e vona në muzikë ka dhe kuptimin që veprat klasike nuk humbasin, nuk i fshin globalizmi që rreh drejt kulturave gjithëpërfshirëse etj. Është një barrë e madhe e krijuesve dhe e mësuesve ta orientojnë rininë drejt kësaj kulture themelore, pasi ndryshe ka gjasë që të rinjtë të jepen më tepër ndaj njëlloj letërsie “fast food”, që konsumohet shpejt, në këmbë, si postimet e Facebook-ut. Ky është një problem i të gjitha kulturave, por ne hallin e kemi te trashëgimia jonë, jo pak e rrezikuar, për shkak të komunikimit të paktë me kulturën globale dhe të mjeteve monetare të pamjaftueshme për rigjallërimin e vlerave të traditës. Vërehet një gërshetim të folkut me artin muzikor modern. Ato ditë që në skenën e Lezhës dhe në mediat e Tiranës po lançohej lahutari 105-vjeçar Nonaj dhe “familja” e tij lahutare, DAR dhe Ministria e Arsimit miratonin dy klasë muzike, që do të thotë se nga shtatori 50 nxënës lezhjanë do të mësojnë pianon, kitarën, violinën, fizarmonikën, organon etj. Pra jo vetëm çiftelia, mbretëresha e kullave, nga e cila pati marrë emrin ansambli i Lezhës para gjysmë shekulli, por dhe muzika e kultivuar etj. Për të gjitha këto Lezha është një metropol kulturor i pashuar. Dhe ende më shumë lypet të jetë nesër, kur do të ketë dhe teatrin e saj, agjencitë e turizmit, një masterplan të zhvillimit ekonomik, portual etj. Lezha rreh të jetë e gjitha një metropol, jo vetëm qyteti, jo vetëm plazhi, jo vetëm porti, jo vetëm kalaja, por dhe Shënkolli, Blinishti e gjer Kashnjeti malor, sajdisur me rrugë të reja të asfaltuara etj. Thënë ndryshe, Lezha nuk është vetëm e shkuara, por dhe e sotmja, nuk janë vetëm ata që kanë ikur e kanë bërë emër në Tiranë apo jashtë vendit, por dhe vazhdimtarët: politikanë, kulturologë, biznesmenë etj. Shumë prej nesh kanë një njohje të hershme me Lezhën, të tjerë që nuk e kanë prekur nga afër në vitet ’70-’80 e kanë “kënduar” përmes eseve tejet origjinale të Rudolf Markut dërguar nga Londra, ku sërish na vijnë çdo fundjavë letrat e tij në “Mapo”. Kush ka parë fotografitë e hershme të Lezhës, kujtohet se ura mbi Drin ka qenë me harqe. Mendoni se ç’bukuri edhe mëvetësi do të fitonte Lissusi modern po ta kishte prapë urën e vet me harqe. Tani që qendra e qytetit po fiton një pamje urbane europiane, që kalaja po bëhet përditë e më shumë një stacion atraktiv i qytetit, që ujësjellësi i ri do të ngopë me ujë qytetin dhe rrethinën, falë një projekti madhor që po zbatohet. Tani që artistët, sportistët, natyralistët e vegjël lezhjanë kanë një QKF në parametra bashkëkohorë ku i shërbehet talentit dhe prirjeve të tyre. Individ a institucion, secili ka në dorë ta bëjë qytetin me tipare metropoli. Një botues nga Lissusi botoi të plotë Fishtën duke sfiduar metropolin. Dhe nuk është për t’u habitur. Butrinti, Apollonia, Dyrrahu, Drishti e të tjerë vijnë si metropole të lashtësisë, historisë dhe jo vetëm. A nuk ishte Butrinti ku përmes zërit të paarritshëm të Inva Mulës u kremtua 9 Maji, Dita e Europës? S’është gjeografia, pra, përcaktuese e asaj sesa një vend është provincë apo metropol. Korça gjeografikisht merret si provincë, por trupa e saj teatrore luan në vazhdimësi në teatrot e Tiranës, siç ajo ka qenë gjithnjë metropolane me serenatat, Liceun etj. Nuk është diçka e re, kur qytetet e vogla ngrihen mbi metropolet, mjaft të kujtosh se Sanremo i këngës italiane (nuk) është Roma, Hollivudi i gjenive amerikanë të filmit (nuk) është Uashingtoni, Lajpcigu i librit (nuk) është Berlini…