Ministri i Jashtem Ditmir Bushati, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku pritet te votohet deputeti i PDIU, Shpetim Idrizit, ne postin e zv/kryetarit te Kuvendit./r/n/r/nForeign Minister Ditmir Bushati, speaks during a parliamentary session.


Doda e thërret në interpelancë, kryediplomati kërkon zbatimin e Ohrit


Kushti për NATO-n – Kjo nuk është as bllokadë e jona por një normë standardi e firmosur edhe nga pala maqedonase. Shqipëria ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të stabilitetit maqedonas dhe të drejtat e shqiptarëve nuk janë pengesë për anëtarësimin euroatlantik të Maqedonisë


Doda – Jankullovska, një psikopate vrasëse, shtyp shqiptarët. Shqiptarë të pafajshëm vuajnë dënime që janë intriga të politikës maqedonase. Shteti ynë nuk hap gojë. Veç një bashkëpunim real midis nesh mund të na forcojë nga albanofobët


ARTEMISA HOXHA


Ngjarja e rëndë që ndodhi në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 22 persona, mes tyre dhe shqiptarë, ka përplasur dje në qëndrime të kundërta deputeten e PD-së, Mesila Doda, me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. I thirrur në interpelancën nga deputetja Doda, Bushati deklaroi nga foltorja e Parlamentit se Shqipëria i qëndron bindjes se Maqedonia duhet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa theksoi se vendi ynë është në mbështetje të plotë të stabilitetit të brendshëm të shtetit fqinj. Sipas kryediplomatit, të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë pengesë për anëtarësimin euroatlantik të Maqedonisë. Bushati, teksa theksoi se dikasteri që drejton ndjek me përparësi zhvillimet në Maqedoni, rinënvijëzoi qëndrimin e Shqipërisë se kriza në Maqedoni nuk është ndëretnike dhe do të jetë në dëm të Shkupit, nëse mendohet kështu. “Nuk janë vërejtur shenja cenimi të kufijve tanë. Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar as në ritmet e as në fushat e parashikuara në nenet e saj. Samiti i fundit i NATO-s në Uells bën thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Çdo tendencë për të shtyrë në kohë zbatimin e saj është regres. Shpërndarja e barabartë e të ardhurave dhe liria e përkatësisë etnike të të gjithë anëtarëve të asaj shoqërie është detyrë. Në këtë vijë të bashkërenduar atlantike duhet parë theksi që vuri Kryeministri ynë për zbatimin e marrëveshjes. Kjo nuk është as bllokadë e jona, por një normë standardi e firmosur edhe nga pala maqedonase. Shqipëria ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të stabilitetit maqedonas dhe të drejtat e shqiptarëve nuk janë pengesë për anëtarësimin euroatlantik të Maqedonisë”, tha Bushati. Por qëndrimi i palës shqiptare dhe asaj kosovare në lidhje me gjithë ngjarjen në Kumanovë për deputeten e PD-së, Doda nuk është aspak i mjaftueshëm. Sipas deputetes së PD-së shteti shqiptar dhe ai i ri i Kosovës heshtin kur bashkëkombësit shqiptarë po bien viktima të politikave intriguese të fqinjëve. “Sot ende s’dimë shkaqet që çuan në atë ngjarje. Cila është loja që është luajtur në kurriz të shqiptarëve? Kuptova që interpelanca juaj është e përqendruar në dy momente të rëndësishme: standardin e demokracisë dhe marrëdhëniet me fqinjët. Por nuk është thjesht gjeopolitika nga duhet të nisemi. Sepse ajo që ka ndodhur në të vërtetë është se shqiptarët janë trajtuar si të dorës së dytë. A do të interesohet shteti amë për shtetasit e vet? A mund ta harrojmë ne që shtetasit tanë u trajtuan si viktima të ISIS? Që shqiptarët dhunohen? Tërhiqen zvarrë? A do merremi seriozisht me gjysmë milion bashkëkombës që bien viktimë e politikave të vendeve ku jetojnë?”, ngriti si shqetësim Doda. Për Bushatin, Ministria e Jashtme nuk e sheh atë që ndodhi në Kumanovë si teori konspirative e revolucioneve me ngjyra, por dëshmon vullnet për një bashkëjetesë paqësore me shtetin fqinj. “Ne kemi mbështetur faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Për sa i përket dinamikës, ne jemi pjesë e sensibilitetit që ka aleanca dhe do ndjekim detyrimet tona. Shqipëria ndjek me përparësi zhvillimet e jetës politike në Maqedoni duke dëshmuar vullnet për një bashkëjetesë paqësore me shtetin fqinj. Nuk është mbështetje për teori konspirative, e as për tendenca me revolucione me ngjyra, ne nuk i portretizojmë si revolucione me ngjyra sepse nuk i shërbejnë së ardhmes. Nuk ndihmojnë në kurimin e simptomave të krizës Maqedonase”, tha Bushati, duke shtuar se është populli shqiptar atje që përcakton udhëheqësit e vet dhe jo ndërhyrjet e jashtme. Duke kritikuar edhe një herë qëndrimin e ish-ministres së Brendshme në Maqedoni për shqiptarët, Doda tha se nuk mund të jetë aspak shqetësuese për ne situata politike në Maqedoni, po respektimi i të drejtave të shqiptarëve. “Jankullovska (ish-ministrja e Brendshme), një psikopate vrasëse, shtyp shqiptarët. Shqiptarë të pafajshëm vuajnë dënime që janë intriga të politikës maqedonase. Shteti ynë nuk hap gojë. Veç një bashkëpunim real midis nesh mund të na forcojë nga albanofobët. Duhet lobim për bashkëpunim. Nuk duhet lejuar cenimi i jetës së bashkëkombësve tanë. Kjo ngjarje do hetim ndërkombëtar. Nuk duhet të jetë stabiliteti i Maqedonisë shqetësimi ynë, por të drejtat e shqiptarëve. Ju nuk përmendët në asnjë moment faktorin shqiptar. Na përket neve të merremi me të drejtat e bashkëkombësve tanë”, tha Doda.