Itali


Aksioni “Golem” shkatërron grupin besnik të bosit të bosëve, ende në kërkim


mafiozet itali_1Policia arrestoi dje të besuarit e kryemafiozit në kërkim italian të ‘Cosa Nostra’-s, ndërsa rezulton se rrjeti operonte edhe në Shqipëri, nga ku ka pasur dërgesa të sasive të mëdha të drogës. Në pranga ranë 15 anëtarë të organizatës kriminale, e udhëhequr nga Mateo Mesina Denaro, i cili është në arrati që prej vitit 1993. Grupi mafioz e kishte shtrirë aktivitetin edhe në Shqipëri. Mediat italiane raportonin se aksioni i koduar “Ermes” ishte vazhdimësi i operacioneve “Golem” dhe “Eden” të kryera nga policia italiane në bashkëpunim me skuadrën antimafia të Palermos. Arrestimet janë kryer në krahinat e Palermos dhe Trapanit. Drejtuesit e operacionit u shprehën në mediat italiane se bosi i Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, komunikonte me anëtarët e grupit me anë të mesazheve të shkruar në copëza të vogla letre të cilat groposeshin në një vend të caktuar. Droga është zëvendësuar në fjalorin e mafiozëve me fjalën dele. “Delet duhen shpërndarë”, “Delet janë gati”, “Delet janë bërë për të qethur” dhe “Bari për delet është gati”, ishin frazat e përdorura ndërmjet anëtarëve të grupit. Të besuarit e Denaros nuk janë takuar asnjëherë brenda fermave, por nëpër zona të pabanuara, duke vështirësuar punën e policisë për zbulimin e tyre. Mafia kishte lidhje indirekte me krimin e organizuar në Australi, nga ku erdhën sinjalet e para. Denaro mburrej se ka mbushur një varrezë të tërë me armiqtë e tij. Ai u është shmangur autoriteteve, për të paktën 50 vrasje. Autoritetet dyshojnë se klani i tij ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me Australinë, bazuar në Melburn dhe Sidnej. Lidhjet në Ballkan kanë përfshirë Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, vende të cilat kanë ndihmuar në dërgimin e drogës. Ata që u arrestuan dje besohet të jenë korrierët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë që punojnë për të mbajtur mesazhet e koduara mes tij dhe zëvendësve. Matteo Messina Denaro është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrat që kanë gjakosur Romën, Milanon dhe Firence në vitin 1993. Hetimet nisën nga viti 2012, ku zonat në Mazara dhe Salemi të Sicilisë janë mbajtur në kontroll dhe natën. Me kamera të fuqishme të vendosura në pemë, me regjistruesit e fshehur nëntokë. Mafiozët mbështeteshin në sistemet më arkaike të komunikimit. Në qershor Messina Denaro ka festuar 22 vitet e arratisë. “Unë u jam mirënjohës hetuesve. I inkurajoj të arrestojnë vetë Matteo Messina Denaron”, -shkruante në faqen e tij në Facebook Kryeministri italian, Matteo Renzi. Ai që mbante sekretet ishte Vito Gongola, i mbiquajturi “Vitu”. Ai është 77 vjeç dhe vazhdon të çohet në orën katër të mëngjesit, për t’u kujdesur për kopenë e tij. Por këtë herë, policia dhe karabinierët e kanë zgjuar më parë. Që nga viti 2012, ai u zbulua ndërsa i telefononte pronarit të fermës në Lippone, Michele Terranova dhe i fliste për delet, plehrat, fasulet, etj. Por fjalët e tij nuk ishin një fiksion letrar, por një sinjal. Në Itali, në pranga kanë rënë shefi Vito Gondola, 77 vjeç, Leonardo Agueci, 28 vjeç, llogaritar, Ugo Di Leonardo, 73 vjeç, arkitekt në pension, Pietro dhe Vincenzo Giambalvo, 77 e 38 vjeç, baba e bir, Sergio Giglio, 46 vjeç, Michele Guçiardi, 62 vjeç, Giovanni Loretta, 43 vjeç, Giovanni Mattarella, 49 vjeç (dhëndri i Vitos), Giovanni Domenico Scimonelli, 48 vjeç dhe Michele Terranova, 46 vjeç.