Ndahet nga jeta arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Rrok Mirdita. Jeta e tij nga studimet në Zagreb, SHBA dhe kthimi në Shqipëri pas viteve ’90. Sipas rregullave të Kishës Katolike, imzot Rrok Mirdita do të prehet në kriptën e Katedrales së Shën Palit në Tiranë


Imzot Rrok MireditaArkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Rrok Mirdita, ka ndërruar jetë dje në mesditë, pas një hemorragjie cerebrale që pësoi disa ditë më parë. Një ndër drejtuesit më të njohur të Kishës Katolike në Shqipëri, nuk ka mundur t’i shpëtojë goditjes që mori nga një hemorragji cerebrale më 4 dhjetor, teksa po mbante meshën në katedralen e kryeqytetit. Prej tri ditësh arkipeshkvi u mbajt në repartin e neurokirurgjisë, ku iu nënshtrua dhe një operacioni, por gjendja e tij nuk erdhi drejt përmirësimit, për të mbyllur përgjithmonë sytë dje në moshën 76-vjeçare. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Kishën Katolike në vend, e cila humbi një nga zërat e saj më përfaqësues këto vite. Në historinë e rivendosjes në vend të besimeve në vend, roli i imzot Rrok Mirditës do të kujtohet gjatë. Humbja e tij është pritur me hidhërim jo vetëm nga përfaqësues të religjioneve në vend, por edhe nga politika dhe njerëzit e zakonshëm.


Jeta


Trupi i Imzot Mirdites ne Katedralen e Shen PalitRrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi), më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer liceun klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera. U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga arkipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic. Deri më 1973-shin ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit (Mal i Zi). Në këtë vit dërgohet nga arkipeshkvi i tij në Nju Jork për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks (Bronx). Në përkim me arkipeshkvin e Tivarit, Eminenca e Tij Card. Terence Cook, arkipeshkvi i Nju Jorkut, me një dekret të 19 qershorit 1981 e inkardinon në dioqezën e tij duke e ngarkuar me veprimtarinë baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”. Më 1985-n, Eminenca e Tij, kardinal O’Connor arkipeshkëv i Nju Jorkut, e emëron administrator të qendrave katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali”. Më 28 shtator 1989, emërohet nga i njëjti arkipeshkëv, famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë Mons. Rrok Mirdita, gjatë viteve në Nju Jork, do të merret me përkushtim të veçantë me çështjen e të larguarve nga Shqipëria, me të cilët bashkëndan dramën e dhembjes dhe fatkeqësinë e të afërmve të mbetur në atdhe, të cilët i trajtojnë si tradhtarë.


Kthimi në Shqipëri


Më 1991-shin, imzot Rrok Mirdita viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigrantëve shqiptarë të SHBA-së dhe solidarizohet me plagët e këtij vendi të martirizuar. Më 1992-shin, Papa Gjon Pali II e emëron arkipeshkëv të Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për t’u vendosur në Shqipëri, duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor. Më 24 prill 1993 shugurohet ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së bashku me Atin e Shenjtë. Në vitet 1994-2000 është president i Caritas-it Shqiptar dhe angazhohet fuqishëm në lehtësimin e vuajtjeve të shkaktuara nga lufta e Kosovës. Më 29 mars 1999, u bën thirrje institucioneve të ndryshme Katolike të Europës për t’i ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës i përgjigjen me efektshmëri shumë prej tyre. Në vitin 1996, zgjidhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapothemeluar. Në vitin 2000, sovrani i Maltës i jep titullin Kapelan i Kryqit të Lartë Ad Honorem, duke e vënë në kategorinë e mësuesit të madh. Në vitin 2002 përfundon ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi për rritjen shpirtërore, gjë që do të lërë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit. Në janar të vitit 2005, Papa Gjon Pali II e lartëson në rangun e arkipeshkvit metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti XVI, në Bazilikatën e Shën Pjetrit, Platiniumin e Metropolit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës i jep titullin “Qytetar Nderi”, duke vlerësuar ndihmesën e jashtëzakonshme të arkipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i jep edhe kryetari i Bashkisë Rrëshen për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare. Për më se 13 vite, Arkipeshkvi është angazhuar që Kisha Katolike në Shqipëri në këtë dioqezë të rëndësishme, t’u vijë në ndihmë të gjitha kategorive të popullsisë. Për këtë arsye i ka nxitur misionarët që të angazhohen në fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore dhe të mesme, azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qendrave shëndetësore dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rikuperimin e të rinjve të prekur nga droga dhe e gjitha kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore. Në vitin 2006, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, i ka akorduar Urdhrin “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmendjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për angazhimin në themelimin e institucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”. Në maj 2006, asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e zgjedh rishtas kryetar të saj. Në vitin 2010, Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, i akordon urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa më 13 maj 2013, Akademia Ndërkombëtare Bonifaci 8 i akordon titullin “Akademik Nderi”.


Varrimi


Sipas njoftimit zyrtar, sot, Kisha e Shën Palit do të jetë e hapur për ata që duan të luten. Do të jenë dy meshë gjatë ditës duke qenë se Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Papërlyer.


Ditën e mërkurë me datë 9 shtator do të mbahen homazhet zyrtare nga ora 10.00–13.00. Të mërkurën në darkë në orën 16.00 do të jetë lutja e mbrëmësores e më pas do të kremtohet mesha.


Ditën e enjte më datë 10 dhjetor në orën 10.00 do të fillojë mesha e funeralit, të cilën do ta drejtojë Imzot Ramiro Molinar Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri. Predikimin do ta mbajë Imzot Gjergj Frendo Ipeshkvi Ndihmës i Tiranë-Durrësit. Ndërsa salikimi dhe përshëndetje e fundit te varri do të bëhet nga Imzot Angelo Massafra, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër Pultit.


Trupi i Imzot Mirditës do të pushojë në kriptën e Katedrales në vendin e caktuar për varrimin e Ipeshkvinjëve sipas traditës së Kishës Katolike, që ka përjashtim vetëm në rast se vetë ipeshkvi, me anë të testamentit kërkon të varroset në një tjetër vend. Burime zyrtare nga Kisha Katolike kanë konfirmuar se imzot Rrok Mirdita, që prej ndërtimit të Katedrales së Shën Palit ka kërkuar që të varroset në kriptën e kësaj kishe.


Pasuesi


Me ndarjen nga jeta të imzot Rrok Mirditës, një prej përfaqësuesve më të lartë të Kishës Katolike në vend, ngrihet dhe pyetja se cili do të jetë pasuesi i tij? Sipas procedurave, një ipeshkëv qëndron në detyrë deri në moshën 75-vjeçare. Më pas, përmes një letre, ai i drejtohet Papës, ku i paraqet “daljen në pension”. Në rastin e imzot Mirditës, ai i është drejtuar me një letër Papës, pas mbushjes së moshës 75-vjeçare, por nuk i ka ardhur asnjë përgjigje, çka nënkupton vazhdimin e punës në këtë post. Në këtë detyrë, Mirdita kishte dhe një ndihmës apo bashkëpunëtor të ngushtë, siç është ndihmësipeshkvi, monsinjor Gjergj Frendo, i cili kryente dhe shërbesat kishtare. Deri në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të Dioqezës Tiranë Durrës, ai ka të njëjtat detyra. Sipas procedurave, kandidati i ri për ipeshkëv duhet të jetë mbi 35 vjeç, në pozicionin e klerikut, të ketë një reputacion të mirë, të jetë i diplomuar për teologji dhe të njohë shumë mirë shkrimin e shenjtë. Është ambasada e Vatikanit në Tiranë ajo që përzgjedh kandidaturat që përmbushin këto kritere dhe më pas ia dërgon Selisë së Shenjtë. I gjithë procesi i përzgjedhjes mund të kalojë deri në 6 muaj, deri sa Papa të zgjedhë kandidatin që do të drejtojë dioqezën Tiranë-Durrës.


 


 


PDIU: Mbrojti kauzat kombëtare, mbajti meshë për Çamërinë


PDIU-ja ngushëlloi mbarë kombin shqiptar për humbjen e një prej figurave të klerit katolik shqiptar. “Imzot Rrok Mirdita përfaqësonte për kombin shqiptar shumë më tepër se një bari e atë shpirtëror. Ai vjen nga trevat kombëtare jashtë atdheut, mbrojti kauzat kombëtare në kishat shqiptare në SHBA dhe ringriti nga hiçi Kishën Katolike në Shqipëri me atdhedashuri të pashoqe dhe besim të palëkundur në Zot. Imzot Rrok Mirdita shkoi pranë Zotit dhe la ndër nesh punën e zemrën e tij. PDIU-ja ngushëllon mbarë kombin shqiptar për këtë humbje dhe uron që pasardhësi i tij të ketë zellin atdhetar e fetar të këtij prelati të rrallë. Imzot Rrok Mirdita meshoi për Çamërinë, si një klerik patriot, duke e cilësuar si privilegj dhe detyrë fetare e kombëtare. U prehtë në paqe!”, thuhet në reagimin e PDIU-së.


 


PD, Basha: Do të mbahet mend për ringritjen shpirtërore


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në ngushëllimin e tij, shprehet se “imzot Rrok Mirdita ka një meritë të madhe për ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit komunist që kaloi Shqipëria. “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të monsinjor Rrok Mirditës. Monsinjor Mirdita do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamitë. Kam pasur privilegjin të takohem shpesh me të dhe nuk i harroj kurrë shqetësimet e tij dhe lutjet e tij për të varfrit, të pamundurit, kërkesat e tij të vazhdueshme për drejtësi shoqërore. Monsinjor Mirdita, i shuguruar ipeshkëv në vizitën apostolike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II në vitin 1993, jam i bindur se po shkon i qetë në shtëpinë e Atit të tij, pas një jete të tërë në shërbim të Zotit, besimtarëve dhe popullit të tij”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kreut të PD-së.


 


Rama: Lamtumirë mik i të gjithëve!


Kryeministri Edi Rama, menjëherë pas lajmit për humbjen e imzot Rrok Mirditës, ka reaguar në faqen e tij zyrtare në “Facebook. “Lamtumirë miku i të gjithëve!”, është ky postimi i Ramës, i cili shoqërohet dhe me një foto të imzot Rrok Mirditës.


 


Komuniteti Mysliman


“Personalitet i shquar, humbje për të gjithë”


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shprehu dje ngushëllimet e sinqerta Kishës Katolike të Shqipërisë dhe të gjithë besimtarëve katolikë, për ndarjen nga jeta të imzot Rrok Mirditës, arkipeshkëv metropolit i Arkidioqezës Tiranë – Durrës. “Shoqëria jonë e ka njohur atë si një personalitet të shquar në përpjekje të harmonisë, bashkëjetesës dhe të preokupimit mbi problemet që shqetësonin besimtarët katolikë dhe më gjerë. Ndarja e tij nga jeta është një humbje jo vetëm për Komunitetin Katolik, por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ndaj edhe një herë ju shprehim ngushëllimet tona. Zoti e pastë në Mëshirën e Tij”, thuhet në reagimin e Komunitetit Mysliman.


 


Presidenti


Nishani: Mesazhet e tij, përtej predikimeve fetare


Kreu i shtetit, Bujar Nishani, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të imzot Rrok Mirditës, arqipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranës dhe Durrësit. “Imzot Mirdita do të mbahet mend me mirënjohje edhe për rolin e tij shumë domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë postkomuniste, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e lartë të besimeve të tjera fetare në Shqipëri. Mesazhet e tij shkonin përtej predikimeve fetare, duke prekur zemrat dhe mendjet e bashkatdhetarëve të tij për një shoqëri vlerash”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Nishani.


 


Ilir Meta:


Imzot Mirdita, simbol i  solidariteti e sakrificës


Politika shqiptare ka ngushëlluar familjarët e Imzot Rrok Mirditës për ndarjen nga jeta në moshën 76-vjeçare. Kreu i Kuvendit Meta teksa ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e Imzot Rrok Mirditës, në mesazhin e tij ka lartësuar figurën e tij si simbol të sakrificës njerëzore. “Imzot Rrok Mirdita do të mbahet mend dhe nderohet si një ndër pionierët e rikthimit tek besimi hyjnor dhe ringritjes së kishës katolike në Shqipëri, pas errësirës së gjatë shpirtërore të regjimit komunist, i cili u mohoi shqiptarëve edhe të drejtën e besimit. Jeta dhe vepra e Imzot Rrok Mirditës është një shembull i përkushtimit të thellë ndaj njerëzve dhe veçanërisht më të pamundurve, simbol i solidaritetit dhe sakrificës, ringritjes kombëtare dhe ringjalljes shpirtërore, bashkëjetesës e harmonisë së besimeve”, shkruan Meta.