Binjaket TrushiNë Itali, një prej të ashtuquajturve “Vëllezërit Lupen” është dënuar me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Cuneo, ndërsa tjetri u ka shpëtuar hekurave. Binjakët Edmond dhe Eduard Trushi, të arrestuar nga policia e Saluzzo-s korrikun e vitit të shkuar, akuzohen për qindra vjedhje banesash në veri dhe qendër të Italisë. Gjatë muajit të shkuar, ata u dënuan me gjykim të shkurtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Cuneo, vetëm për vjedhjet e kryera në këtë provincë. “Edmond Trushi është dënuar me tri vite dhe gjashtë muaj burgim. Ndërsa, vëllai tjetër, Eduardi, është dënuar me dy vite e gjashtë muaj arrest shtëpiak, nën mbikëqyrjen e byzylykut elektronik”, raportuan mediat italiane. Gjatë procesit gjyqësor pati vështirësi në dallimin e njërit nga tjetri dhe në sallën e gjyqit ishin krijuar edhe situata me hilaritet, derisa u konfirmuan gjeneralitetet dhe u ballafaquan provat e policisë për secilin prej tyre. Tashmë është vendosur që njëri të qëndrojë në burg, ndërsa tjetri në arrest shtëpie.