vazhdimi i artikullit të djeshëm
Një rol me rëndësi themelore ka luajtur Kongregacioni roman i De Propaganda Fide, institucioni fetar katolik, i cili i kushtoi vëmendje përgatitjes së misionarëve nga “Albania veneta”. Për këtë qëllim ishte ngritur e funksionoi në Loreto, Collegium Illyricum, nga ku dolën Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Kazazi, Lekë Matrënga, etj.
Zanafilla e shndërrimit të dialekteve në gjuhë shqipe
Bajram Peçi
Gjuhës shqipe, e cilësuar nga kronistët e mesjetës si një gjuhë e pakapshme, “tipar dallues i këtij kombi, elementi përbërës i identitetit të tyre kombëtar” – shprehet Paolo Petta – të dhënat i vijnë nga shek. XIII. Në “Directorium ad passagium faciendum”, Guillelmus Adae, ipeshkvi i Tivarit, sjell dëshminë, tashmë të njohur kryesisht nga gjithkush i tërhequr nga lënda e fushës studimore, që mbetet deri më sot më e vjetra. “…megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre”.
Një rol me rëndësi themelore ka luajtur Kongregacioni roman i De Propaganda Fide, institucioni fetar katolik, i cili i kushtoi vëmendje përgatitjes së misionarëve nga “Albania veneta”. Për këtë qëllim ishte ngritur e funksionoi në Loreto, Collegium Illyricum, nga ku dolën Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Kazazi, Lekë Matrënga, etj. Ishin pikërisht këta që ngjizën dhe u orvatën të shndërrojnë shqipen nga dialekt në gjuhë të vërtetë letrare. Duke përjashtuar çdo ngjyrim fetar të mundshëm, prej të cilit ndokush mund të ndikohet për të bërë paragjykime subjektive, duhet pranuar se pa veprimtarinë e Propaganda Fide, nuk do të lindte ose do të ishte edhe më e vonuar akoma ngjizja e tipareve dhe natyrës letrare të gjuhës shqipe.
Kolegji, për 20 vjet me radhë, me misionarët e tij, mori në dorë drejtimin e shkollimin kristian për të rinjtë e Ilirisë, që shtrihej nga Sllovenia, në Kroaci, në Bosnjë e deri në Shqipëri. Kolegji që funksionoi për më se 300 vjet, u mbyll përfundimisht në vitin 1860, kohë kur mecenatë të katolikëve shqiptarë ishin tashmë jo Italia, por Austria.
Prerja e monedhave dhe emetimi “DALMAT ET ALBANIA”
Jetët e banorëve të “Albania veneta” rridhnin nën trazimet ekonomike dhe rregullat e rrepta të taksimit dhe tarifimit për kolonitë venedikase. Kalimi i studimit në çështjet ekonomike të periudhës e rishfaq Shqipërinë e Veriut, nën tutelën ekonomiko-monetare të Venedikut, ku vërehet, së pari, se filloi të kultivohej një kulturë qytetare, arbërore e katolike e re, që kish kontrollin politik e ekonomik të Republikës së Shën Markut. Pas kapërcimit të kohëve të trazuara, Venediku mëshiroi modelin qytetar të financave europiane në prerjen e qarkullimin e monedhave. Shekulli XV në “Albania veneta” i përfshin pothuaj shumicën e qyteteve të këtij zotërimi venedikas me monedhat lokale në metal bronz ose bakër. Shkodra, që sipas M. Shuflaj te studimi “Serbët dhe shqiptarët”, kishte punishtet e veta të prerjes së monedhave, përdorte monedhën e saj në qarkullimin tregtar të marrëdhënieve të shitblerjes, që nga periudha e Gjergj II Balsha, por nga viti 1423, aty u pre dhe u qarkullua monedha “Grosetto di Scutari”, të cilën katalogët numizmatikë e njohin si emetim venedikas për një qytet që i përkiste zotërimeve të saj në Shqipërinë venedikase. Sashi, Drishti, Kotorri, Tivari dhe Ulqini, qytete që kishin fituar autonominë, gjithashtu kishin pasur monedhat e tyre në qarkullim, të quajtura “Folarë” dhe “Grosharë”. Një tjetër e dhënë ndryshe nga ajo e Shuflajt vjen prej studiuesit Vincenzo Lazari, i cili shkruan në “traktatin” e tij, “Zecche e monete degli Abruzzi nei bassi tempi“, dhe më pas në veprën studimore, “Le monete dei possedimenti veneziani di oltremare e di terraferma descritte ed illustrate”, se “Grosetto di Scutari”, stampohej në punishten e Raguzës.
Venediku emetonte 2 milionë copë monedha ari e argjendi në vit dhe kish vënë në qarkullim monedha argjendi e divizionale bakri enkas për territoret e Shqipërisë venedikase e atë të Dalmacisë. Është hera e parë dhe rasti më i rrallë që shfaqet në një monedhë emri i një vendi që nuk gëzon pavarësinë. Më pas, Venediku e bëri këtë edhe për ishujt e Qipros dhe Kandias. Monedhat që përmbajnë emrin Albania janë prerje të Republikës së Venedikut, të përdorura deri në vitin 1797. Fillesat i ka me emetimin Dalmatia nga viti 1410, kohë kur u vu në qarkullim “Tornese di Dalmacia”, monedhë argjendi. Kjo monedhë e kish faqen e përparme siç do ta kishin më pas ato me emetimin “Dalma et Alban” (Dalmacia dhe Shqipëria), me simbolin e luanit të Shën Markut, ku paraqitet me krahë të hapur e konture në përplasje të krahëve. Monedha u përdor gjerësisht në Albania veneta dhe u njoh me tre emra: Lirette San Marco, Gazete San Marco dhe Bagatini. Për më se dy shekuj, këto monedha u emetuan me dekrete, sipas rastit të periudhave legjislative, të katër institucioneve: të dogjëve, të Këshillit të Madh; të Këshillit të të Dhjetëve; të Këshillit të të Dyzetëve.
Njihen katër versione legjendash me shkrim latin: 1)DALMA*ET*ALBAN; 2)DALM*ET*ALB; 3)DALMAT*ET*ALBANIA dhe 4)DALMAT*ET*ALB., të vendosura këto në monedhë në një rend treradhësh. Ana tjetër shënon, SAN.MARC.VEN., me pamjen e luanit të Shën Markut të Venedikut. U prenë tre monedha argjendi dhe dy monedha bakri. Monedhat e argjendit, të quajtura “Liretta”, me vlerë XX, VIII dhe IV (Venti, Da Otto, Da Quattro), u emetuan në vitin 1664. Monedhat e bakrit janë prerë në vlerën 1 dhe 2 soldi (gazeta), me diametër që luhatet nga 27 deri 30 mm, me peshë 5.4 gramë deri 7.2 gramë. Pavarësisht vështirësive që vijnë nga mungesa e dekreteve, numizmatika njeh si data emetimi vitet 1684, 1686, 1690, 1691, 1706 dhe 1739, por numizmatika kroate e çon fillesën e tyre nga viti 1626. Monedhat e argjendit, 700/1000, janë tre emëtime: liretta xx, diametër 24 mm, peshë 7.62 gramë; liretta da quatro, me diametër 19 mm dhe peshë 3.58 gramë; liretta da otto, me diametër 15 mm dhe peshë 2.2 gramë. Në emetimin Dalmatia dhe Albania, kemi të bëjmë me monedha veneciane që përdoreshin në qytetet dalmate: Shebenik, Zara, Trau, Spalato dhe Lesina, si dhe në qytetet e “Albania veneta”: Kotorr, Shkodër, Tivar, Ulqin dhe Lezhë. Me kohë, përdorimi i tyre u shtri jo vetëm në Durrës e Korfuz, por dhe në hapësira të tjera shqiptare.
Monedhat e prodhuara për Dalmacinë dhe Shqipërinë hyjnë në klasën e “Lirette” dhe “Gazete”. Numizmatika nuk jep një datë të saktë, as dhe emrin e doxhit, për fillesën e emetimeve të monedhave dalmato-shqiptare, çka nuk ka qenë e lehtë, por mosha e tyre e përafërt dihet falë kërkimeve studimore. Në katalogët numizmatikë, autoriteti i emetimit jepet në formën “Anonime per il Levante”, çka duhet marrë dhe kuptuar si monedha për të cilat nuk ekziston prania e dekretit të doxhit apo këshillit. Gjeti përdorim në Shqipëri deri në vitin 1840, kohë kur Turqia urdhëroi mosnjohjen më dhe heqjen nga përdorimi. Vlera e saj, për koleksionistët shqiptarë, qëndron në legjendën që ajo mbart, shekuj të tërë para pavarësisë së Shqipërisë dhe para emetimit të parë të Bankës Kombëtare, shfaqet dhe përdoret në monedhë gjerësisht përdorimi i emrit “Albania“.
Fundi i Shqipërisë venedikase, shpërbërja
Vjen me fundin pothuaj njëherësh të dy republikave që mbajnë emrat e shenjtorëve mbrojtës të tyre, atë të Shën Markut e Shën Vlashit. Një anije e ushtrisë franceze me emrin që tani tingëllon tallës, “Çlirimtari i Italisë”, më 9 prill të vitit 1797, u orvat të hynte me forcë në Lido, ishulli prej nga ku hyn në Venecia. Atje, pasi u godit me predha, u kap dhe u mbajt. Ky ishte fundi i lirisë së Venedikut. Më 18 prill, Bonaparti nënshkroi marrëveshjen e Lobenit, pa dijeninë e republikës. Në krye të marrëveshjes përcaktohej se ishujt e Jonit dhe zotërimet në bregun e Shqipërisë e asaj të Shqipërisë venedike, ku përfshihej dhe një pjesë nga Kotorri, i jepeshin Francës. Një pjesë tjetër e Grykës së Kotorrit i jepej Austro-Hungarisë. Më 12 maj, Senati firmosi fundin e agonisë së vet. Gjithçka kish ndodhur, u sanksionua me paqen e Kampoformios më 17 tetor 1797. Së bashku me rrezëllimin e saj, ra për të mos u përmendur më edhe “Albania veneta”
Republika e Raguzës ra më 23 maj 1806, kur trupat franceze hynë dhe Lauristoni, komandanti i trupave franceze, bëri deklaratën: “Deklaroj këtu se qëllimi i Madhërisë së tij Perandorake është që ta njohë pavarësinë e këtij shteti, sapo rusët të jenë larguar nga Shqipëria ish-venedikase…dhe skuadrilja ruse të ketë lëshuar brigjet e Dalmacisë”. Në këtë trevë, Albania veneta, emisarët e Romanovëve kishin qenë aktivë prej vitit 1765. Rusët, thirrjes së perandoreshës Katerina II, për kryengritje kundër turqve, me të cilët ishte në luftë, iu përgjigjën me një trupë ushtarake të organizuar për të shpërthyer një revoltë në More, e cila u shtyp mizorisht nga shqiptarët. U ngjitën më në veri të Adriatikut dhe u zunë pas pak kohe në Mal të Zi, vendin e protektorëve, austriakëve.
Më 30 janar 1808, Republika e Raguzës nuk ekzistonte më. Me rënie-ngritjet e Napoleon Bonapartit, janë të lidhura për pak vite dhe fatet e Shqipërisë venedike. Rusët kishin marrë Grykat e Kotorrit në mars 1805, sepse austriakët nuk kishin mundur t’i mbanin; u përzunë andej nga francezët më 1806, të cilët e futën Shqipërinë venedikase në organizimin e ri politik, “Territoret ilire”, ku përfshihej gjithë bregu Dalmat dhe iu rikthyen Austrisë në korrik 1817. Ideja e çuditshme e Napoleon Bonapartit, pas ndërmarrjes së tij në fushatën e 1812-s, për të ngjallur emrin e lashtë të gadishullit, emër që e humbi në fundin e shek. XVII, shfaqet për të treguar se deri ku mbërrinin ambiciet e Napoleonit, duke i vënë emrin territorit politik, “Provinca franceze e Ilirisë”. 100 vjet më vonë, pas shpërbërjes së Austro-Hungarisë, këto toka i trashëgoi Kroacia, duke zhdukur përfundimisht “latinët” nga Adriatiku Lindor. Shqipërinë venedikase kish kohë që Kongresi i Berlinit, me këmbënguljen dhe presionin e Rusisë, ia kish dhuruar Malit të Zi.
Si u rrit dhe u zgjerua Mali i Zi me tokat shqiptare, me ndihmën e Rusisë?
Sa herë Turqia ndeshej me Rusinë dhe humbte luftën, rrjedhojat ishin falja e tokave shqiptare për Malin e Zi dhe Serbinë. Në fillim të shek. XIX, Mali i Zi numëronte 100 mijë banorë, ndarë në 36 fise malësorësh, të vendosur në 24 fshatra. Kjo krahinë e popullatë e vogël, që mbahej ngrohtë e mbrohej nën sqetullat e Rusisë, nuk kish as dalje e as vendbanim në bregdet e breg liqeni. Siguroi breg në liqenin e Shkodrës në vitin 1832, kur pushtoi Zhabjakun dhe pas 80 vjetësh ishte në zotërim të 2/3 të bregut të këtij liqeni. Daljen në det e siguroi vetëm në vitin 1885.
Historiani Zhan Klod Faverial, i cili ka studiuar provincën nga koha e Dukatit të Zetës, pasi thekson shtrirjen deri matanë Kotorrit në perëndim dhe tej Prizrenit në lindje, na thotë se “…është e tepërt të shtojmë se popullsia e saj ishte parake iliro-shqiptare…ajo dallohej jo pak nga tjetra (sllavët) deri në masakrën e vitit 1702”. Tërë historianët europianë me autoritet e dinë çfarë ka ndodhur. “Ka të ngjarë – thotë historiani Paolo Petta në veprën ‘Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë’, që malazezët të shqetësohen, për ndonjë pretendim shqiptar për brezin bregdetar (nga Tivari e poshtë) që dikur quhej ‘Albania veneta’. Ky historian, me vepra të vyera për kombin tonë, paska pasur të drejtë. Intuita e tij brilante e shtynte të passhihte qëndrimin malazez. Termi Albania veneta do të ishte për ata gërryes dhe kurdoherë që do shfaqej, qoftë dhe në një fjalor, do t’i shqetësonte dhe bezdiste se tregonte çfarë kishin grabitur në të shkuarën e tyre të afërt.
Dukla, Dioklea, Zeta, s’janë gjë tjetër përpos se emrat që ka mbajtur kohë pas kohe krahina që sot është shteti i Malit të Zi. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin në Diokle e Raguzë, thonë se gjetën atje Arbanasi, Arbanenses. Nga kjo kohë, shekulli XIII, njihen popullatat dhe fetë e ndryshme që mbanin romanët, sllavët dhe arbanasit. Kronikat na sjellin emrat e krahinës me përbërjen e bashkësive të qëndrueshme arbanase të Dioklesë, Zetës, si fiset e Gjurashëve, Kuçit, Piprët, Markajt, Pastrovët, të gjithë këta sot malazezë me gjuhë, kulturë e fe, por me gjak arbanas. Gjermania, Katerina II, i kish propozuar perandorit gjerman, Jozefit II, një plan që Dalmacia t’i merrej Venedikut dhe t’i jepej Austrisë, gjë që s’u bë sepse Rusia, tashmë xhandar dhe imperialiste, filloi luftën me Suedinë.
Autori i “Historia botërore dhe qytetërimi”, historiani Karl Grimberg, në përfundim të përshkrimit të luftës ruso-turke, shkruan se “… më 3 mars 1878, ata diktuan paqen e Shën Stefanit… Serbia dhe Mali i Zi u zmadhuan me sipërfaqe të konsiderueshme shqiptare dhe u çliruan tërësisht nga tutela turke… Ishte një triumf për pansllavizmin. Rusët siguruan hegjemoninë e tyre në këtë pjesë të Europës…Vendimet e Berlinit përmbanin klauzola fatale për paqen e ardhshme të Europës. U përgatit 1914-a”. Mali i Zi u zgjerua në periudhën 1878-1885, me Tivarin, Ulqinin, Shpuzën, Podgoricën, të gjitha këto, treva të banuara nga shqipfolës. Të tjera toka shqiptare, Tuzi, Gucia e Plava, u përfituan nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.
Nga ngjashmëria është pararendësja e asaj që do ndodhte me Çamërinë. Edhe në Shqipërinë venedikase, pas pushtimit prej sllavëve, si dhe në Çamëri, u ushtrua gjenocid, u praktikua shfarosja e popullsisë, ndalim i ushtrimit të gjuhës amtare dhe politika raciale e asimilimit pa kufi, deri në zhdukje të çdo gjëje shqiptare. E gjithë kjo nuk është më e largët se 100 vjet.
Demografia e Arbërisë venedikase dhe passhpinës bregdetare të saj
“Çështja e lëvizjes së racave – shkruan Mit’hat Frashëri te ‘Shqiptarë dhe sllavë’ – në bregun lindor të Adriatikut, ka qenë gjithmonë larg studimeve të paanshme”. Në mesjetë nuk kanë ekzistuar vija të qarta ndarëse gjeografike dhe shoqërore. Nga kronikat e mbërritura vërehet përzierja e grupeve dhe popullatave me gjuhë të ndryshme. Mes tyre, latinët dhe grekët kishin përparësinë e gjuhës së shkruar, e cila shqiptarëve u mungoi deri vonë.
Që lexuesi të bindet për paanshmërinë e argumentit mbi demografinë dhe etnografinë, referencat po i sjell përpos se nga autoritete të dijes e historisë europiane:
- Udhëtari Ami Boue, shkruan: “…shqiptarët shtrihen pothuajse të vetëm në vendet e burimeve të Lepenacit, rrethinat e Cernoleva-Riekës… Nga ana tjetër, ata përzihen me boshnjakët në malet mes Shqipërisë dhe Bosnjës… Ata (shqiptarët) shtrihen deri në pllajat në perëndim dhe në jugperëndim të Novi-Pazarit, në distriktin e Zetës, gjatë Moraçës, ku takohen me malazezët”.
- George Von Hahn shkruan te vepra “Nga Beogradi në Selanik”: “Shqiptarët shtrihen në të gjithë krahinën që përfshihet në mes të lumit Moravë, lumë i Malit të Zi që rrjedh në liqenin e Shkodrës, që do të thotë, që nga skaji lindor i liqenit të Shkodrës deri në Nish”. Më tej, Hahn pohon se, “është rrjedha e Moravës ajo që ndan krahinën shqiptare nga ajo e sllavëve”
- Mariano Bolizza: Në fakt, kufijtë etnografikë të shqiptarëve duhet të përfshijnë gjithë krahinën e njohur me emrin Zeta.
- Dijetari Franz Miklosich: Fjala Zeta ka shumë mundësi të jetë me origjinë shqiptare, ngaqë shqiptarët fillimisht kanë qenë shumë më tepër të shtrirë në veri sesa sot.
- Xhuzepe Gelshiç, në veprën “La Zedda e la dinastia Balsidi, Split 1889: “Është më afër së vërtetës emri Zeta, me të cilin sipas profesor Hopf-it që pëlqen ta emërtojë këtë vend me origjinë shqiptare dhe që e pranuan të gjithë ata që me Hahn-in panë te shqiptarët pasardhësit e vërtetë të ilirëve të vjetër, të cilët ndodheshin më në veri të vendeve ku janë pasardhësit e tyre të sotëm”.
Braktisja e territorit dhe asimilimi i shqiptarëve
Në Luftën e Parë Botërore, Austro-Hungaria, pasi kish pushtuar më 1915 territorin e Malit të Zi, bëri një regjistrim të popullatës, nga ku rezultoi se Ulqini ishte tërësisht i banuar nga shqiptarë, Tuzi me 7467 banorë, 100 për qind shqiptarë dhe Gucia, nga 11117 banorë, 10305 banorë ishin shqiptarë dhe 812 banorë ishin sllavë, pra 93.9 për qind shqiptarë.
Nga “Libri Blu”, korrespondencë diplomatike angleze, për përmbajtjen e këtij shkrimi janë shkëputur (në kontekstin e nënkapitullit) përmbajtje të letrave të shtetarit britanik, George Joachim Goschen, njohës i shkëlqyer i çështjeve lindore dhe asaj shqiptare, për sekretarin e shtetit të Perandorisë Britanike, Earl Granville në 1880, “…Situata është komplikuar nga mënyra se si fati i një pjese të banorëve të territoreve shqiptare që janë në procesin e lëshimit të tokave në territorin e Malit të Zi… Shqiptarët, duke qenë të lashtë dhe të veçantë si racë, sa edhe të tjerët që i rrethojnë, kanë parë se si kombe të këtyre racave fqinje janë marrë nën mbrojtjen e fuqive të ndryshme europiane dhe të favorizohen në aspiratat e tyre…Ata kanë vërejtur se sllavët e Malit të Zi janë mbrojtur nga perandoria e sllavëve të veriut (Rusia) me një entuziazëm të vendosur. Territori i banuar nga shqiptarët i jepet në veri malazezëve, për të kënaqur Malin e Zi, kanakarin e Rusisë. Unë besoj në mënyrë ultimative se Shqipëria mund të bashkohet në një vilajet të madh…”, 26 korrik 1880, Therapia, për Earl Granville.
Më 6 shtator 1913, fiset e Malësisë së Mbishkodrës, pas vendimeve të Konferencës së Londrës, shënojnë të fundit lëvizje politike, protestën kundër aneksimit të Hotit dhe Grudës nga Mali i Zi dhe shpallën bashkimin me Qeverinë e Vlorës. E gjithë kjo rezultoi e kotë. Këto toka, jo vetëm u aneksuan por dhe u asimiluan. Një shumicë e ish-banorëve të malësisë me besim katolik e braktisën vendin e tyre dhe shumica sot ndodhet në SHBA. Pjesa që ngeli në Plavë e Guci, u asimiluan dhe e ndiejnë veten për çudinë më të madhe si myslimanë boshnjakë. Atje nuk dëgjohet të flitet më shqip.
Nga gjysma e dytë e shek. XX, u shkruan e nënshkruan ligje, Karta e Konventa Europiane dhe Botërore, aq sa shihet shkoqur se e bën të pamundur çdo pandehmë të tipit që shfaqet nën emërtimin “Shqipëria Natyrale. Madje, jo pandehmë, por duhet quajtur aventurë, sepse bie në kundërshtim me vetë kartat që ka firmosur dhe aderuar Shqipëria. Sa kohë nuk ishim të zotët t’i mbronim kur ishte koha, tani, tërë këto belbëzime, janë thjesht kokëçarje, që sjellin si rrjedhojë përpos se keqësim të marrëdhënieve me fqinjët, ndaj na mbetet të përdorim argumentet në mbrojtje të historisë, të vërtetës karshi falsifikimeve.
Fund