lypesNjë 49-vjeçare është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 4 muaj burg, për akuzën e keqtrajtimit të të miturit. Sipas vendimit të gjykatës, që disponon gazeta “Shqip”, Mimoza Z. është banore në Tiranë. Më datë 7 prill 2016, vajza e saj, Resella Z., 14-vjeçe, ka bërë kallëzim penal për faktin se ajo ka rreth katër vjet që fle përjashta, sëbashku me mamanë e saj Mimozën, në afërsi të ambienteve të Galerisë së Arteve, Tiranë. Kur zgjohet në mëngjes, Mimoza i thotë që të dalë e të shkojë për të lypur dhe lekët e mbledhura t’ia dorëzoje asaj për të ngrënë bukë. Kështu çdo ditë, Rosela pasi zgjohet në mëngjes, shkon tek Kisha Katolike për të lypur, ku besimtarët i japin lekë pasi e njohin prej vitesh dhe pasi i mbledh lekët ajo ia jep mamasë së saj, e cila e pret tek lulishtja e Piramidës ose te Taivani.


Rosela shpjegon se ka raste që kur është duke fjetur, Mimoza e zgjon atë duke e dhunuar si duke e goditur tek këmbët, duke e pickuar, duke e kafshuar nga duart etj., ose duke e ofenduar, duke i kërkuar llogari se pse ka mbledhur pak lekë. Këtë veprim ajo e bën shpeshherë kur është e stresuar. Sipas vendimit të gjykatës, herën e fundit më datë 06.04.2016, rreth orës 12.00, Rosela ka shkuar për të lypur tek xhamia ku ka bërë rreth 7000 lekë të vjetra, të cilat ia ka dhënë nënës së saj, Mimozës dhe të nesërmes janë kapur nga policia. Rosela deklaron se ka shumë frike nga nëna e saj se ajo e rreh vazhdimisht pasi i kërkon shumë lekë nga ana e saj. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, rezulton se tek Rosela konstatohen ekimoza në të dyja duart si dhe një dërmishje në kyçin e dorës së majtë, dëmtime që sjellin humbje të aftësisë për punë në masën deri në 9 ditë.


Për këtë çështje, është pyetur edhe shtetasja angleze Mary Morrell, e cila jep mësim anglisht tek Kisha Katolike, nga ku rezulton se ajo ka rreth dy vjet që i jep mësim Roselës dhe shumë herë ajo e ka parë me të çara e të gërvishtura në krah, e pasi e ka pyetur se çfarë i ka ndodhur ajo i ka thënë se ia bënte nëna e saj. Mimoza ka deklaruar se nuk e ka shfrytëzuar vajzën për të lypur, pasi ajo shkon vetë te Kisha Katolike. Ajo shpjegon se dhe e ka rrahur vajzën e saj dhe si qëllim ka qenë se ajo largohej pa leje, por gjatë gjykimit e pranoi akuzën duke shprehur pendim.


15 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)