Ajo nuk mori asnjë çmim në MTV Video Music Awards të këtij viti, por ishte artistja më e vlerësuar në tapetin e kuq. Alicia Keys, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Swizz Beatz e ka mbajtur premtimin e bërë majin e shkuar, duke u prezantuar para fotografëve dhe telekamerave tërësisht e patrukuar.
Asnjë gjurmë rimeli, peneli apo kremi pudër në fytyrën e këngëtares ‘ujë dhe sapun’, që i mahniti të gjithë me thjeshtësinë dhe bukurinë e saj në tapetin e kuq.
Vendimi kishte ardhur para disa muajsh, pasi kishte parë një fotot të realizuar nga Paola Kudacki që e tregonte pa tualet teksa dilte nga palestra. Para këtij momenti, pamja fizike ishte kthyer në një obsesion të vërtetë për këngëtaren e “Girl on Fire”, “No One” etj.
“Nuk dua ta mbuloj më fytyrën time, as mendjen, as shpirtin, as mendimet, as ndjenjat, as betejat, asgjë”, shkruante më pas, në një letër të hapur në rrjetet sociale, këngëtarja e njohur.
30 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)