SKENDERBEU KAMPION I SHQIPERISE - /r/n/r/nSKENDERBEU CHAMPION OF ALBANIA -


Publikimi i raportit të UEFA-s në lidhje me çështjen “Skënderbeu” ka sjellë dhe reagimin e klubit korçar. Nëpërmjet rrjetit social Facebook, drejtuesit e këtij klubi shkruajnë se historia e trukimit të ndeshjeve është mbyllur përfundimisht që me vendimin e dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.


Klubi kampion thekson se “Skënderbeu nuk u dënua kurrë për trukim por për shkak të dyshimeve u konsiderua i ‘papërshtatshëm’ për të marrë pjesë në kompeticionet europiane.


“Vërtetimi më i mirë për këtë gjë është dënimi 1-vjeçar që u dha nga UEFA, pasi legjislacioni i këtij organizmi parashikon dënim mbi 5-vjeçar kur faktohet trukimi i ndeshjeve”, thuhet në deklaratë.


Sipas tyre, raporti i publikuar nuk është gjë tjetër veçse dosja e “Federbet”, kompania e kontraktuar nga UEFA për të ndërtuar dosjen e akuzës.


Ndërkohë, po këtë të premte Këshilli Bashkiak i Korçës vendosi të kthejë klubin e Skënderbeut në shoqëri aksionere. Në njoftimin e klubit në Facebook thuhet se me 75% të aksioneve president do të vazhdojë të jetë Ardian Takaj ndërkohë që pjesa tjetër do t’i mbeten bashkisë së këtij qyteti.


9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)