Ai është vetëm një atlas gjeografik për fëmjë, por botimi më i ri i Shtëpisë Botuese “Vulkan” ka terrorizuar opinionin serb.
Kjo, sepse serbët, e veçanërisht ata nacionalistë, janë tronditur nga fakti se fëmijët e tyre po mësojnë nga ajo që paraqet ky atlas, se Kosova është shtet i pavarur. Dhe jo vetëm harta gjeografike, por edhe emri i Kosovës përbën problem, pasi aty njihet siç e njohin tashmë shumica e vendeve të OKB-së, e jo me termin e përdorur shpesh nga Serbia, si “Kosovo i Metohija”.
Mediat serbe e kanë pasqyruar këtë ngjarje duke e cilësuar skandaloz punimin e ri të kësaj shtëpie botuese. Madje, njëra prej tyre ka bërë të ditur se “libri që e përmban këtë hartë duhen ndaluar të shitet, sepse Kosova është pasqyruar e shkëputur nga Serbia”.
“Ministria e Arsimit duhet t’i kontrollojë librat, që janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë, të paktën nga sa thonë ekspertët”, theksohet më tej në njërën prej të përditshmeve serbe.
13 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)