Momenti i vrasjes së Elton Çiços nga i dyshuari Jani Aliaj


Tre persona të maskuar kanë tentuar të grabisin sot në mëngjes shtëpinë e Elton Çiços në Tepelenë.


Lajmi behet i ditur nga burime zyrtare të policise lokale. Mësohet se në banesë kanë qenë familjarët e Çiçës, i cili u ekzekutua në zonën e ish-Bllokut në Tiranë më 1 maj 2016.


Policia ka ngritur grupe kontrolli në pika të ndryshme. Burimet thane se personat kanë qenë të armatosur e janë dëgjuar edhe të shtëna.


Historia e konfliktit dhe vrasja në Tiranë


I shumëkërkuari Jani Aliaj akuzohet nga Prokuroria për vrasjen me paramendim të Çiços, me të cilin kishte patur konflikte të forta të nisura vite më parë në burgun e Koridhalosë në Greqi.


Në dosjen e Prokurorisë thuhet se gjatë qëndrimit në burg Jani Aliaj ka rrahur për vdekje, një mik të Elton Çiços dhe më pas është konfliktuar me atë vetë.


Pasi kanë përfunduar dënimin dhe janë kthyer në Shqipëri, Çiço, i cili ishte shprehur se “do ta vriste me çdo kusht”, armikun e tij të përbetuar, ka tentuar të marrë hak duke i organizuar dy atentate Jani Aliajt, por pa mundur ta ekzekutojë atë.


Por një vit më parë, Jani Aliaj, i veshur sportiv me kapele në kokë, sikurse përshkruhet në dosjen e organit të akuzës, ka hyrë në brendësi të një lokali të njohur në kryeqytet dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të Elton Çiços, i cili ndodhej në shoqërinë e oficerit Alban Trimi, mjekut Elton Rraja dhe një personi të tretë.


Ai është larguar nga vendi i krimit, me një makinë “Ford Focus”, që e priste të dera e lokalit.

Nga hetimet, rezultoi se makina ishte në pronësi të Renato Milloshit, i cili do të përgjigjet vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit, pasi nuk u provua që ishte i përfshirë ne vrasje.


Kamerat e sigurisë në lokal dhe bizneset përreth, si dhe gjetja e makinës, ndihmuan Prokurorinë të identifikonte autorin e krimit.


Ndërkohë, oficeri gjyqësor Alban Trimi dhe Redian Rraja, janë akuzuar nga Prokuroria për “Kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas Prokurorisë i pandehuri Trimi ka prishur vendngjarjen, pasi ka hequr prej aty, çantën e dorës së viktimës dhe një pistoletë.


Krimi i 1 majit të një viti më parë u pasua me ngjarje tejet të rënda kriminale, pasi janë ekzekutuar njëri pas tjetrit, miq të Elton Çiços dhe Jani Aliajt.


Po, ndërsa është hedhur dritë mbi mekanizmin e krimit, Prokuroria nuk ka mundur ende të zbulojë emrin e personit që drejtonte makinën e përdorur në vrasjen e Çiços.


17 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)