Policia e Vlorës ka arrestuar të riun Inez Hajrulla, që dje ishte objekt i atentatit me eksplozivi, ku dhe humbi të dyja këmbët. Burimet zyrtare raportojnë se gjatë këqyrjes së mjetit tip “Jeep” në pronësi të Hajrullës, mjet të cilit ju vendos dhe shpërtheu lënda eksplozive, në sedilien e shoferit grupi hetimor ka konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çantë supi brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë tip ”Glock”, me fishek në fole dhe 17 fishekë në krehër.
Në këto kushte policia kanë bërë arrestimin e shtetasit Inez Hajrulla, 25 vjeç, banues në Vlorë. Hajrulla është shtetas me precedentë të theksuar kriminal si edhe i dënuar më parë për disa vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, vjedhje me dhunë dhe trafikim të mjeteve motorike. Një vit më parë ky shtetas është arrestuar po për të njëjtën vepër penale, atë të ”Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe e municionit”. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprime të mëtejshme.
Paraditen e djeshme, mjeti që drejtohej nga Inez Hajrulla shpërtheu nga një sasi eksplozivi, e komanduar nga distanca. Ngjarja u regjistrua në lagjen “Hajro Çakërri”, tek Bishti i Kalldrëmit, Vlorë. Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje ku nga verifikimet paraprake rezulton se mjeti tip “Jeep” me targa AA 298 CL, me drejtues shtetasin Inez Hajrulla, 25 vjeç, ka shpërthyer gjatë lëvizjes. Gjatë shpërthimi, mjeti lëvizi edhe 70 metra distancë, duke u përplasur me një mjet tjetër, të parkuar.
28 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)