Kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari nuk është sot vetëm Drejtor i Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi emri i tij pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për “spiunllëk” është kthyetr në një çështje që po prodhon debate të ashpra në politikë.


Pas seancës parlamentare të së hënës, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla deklaroi se Meçollari sulmohet nga Berisha për shkak se ai nuk firmosi një kontratë familjare ku përfshihej edhe sekseri Damir Fazlliç.


Ndërsa prej orës 09:30 të ditës së sotme, në Komisionin e Jashtëm, ministri Ditmir Bushati është akuzuar nga opozita se ka vendosur Meçollarin, pra një “spiun” sipas tyre në ekipin negociator për çështjen e detit me Greqinë.


Pas akuzave dhe kundërakuzave në distancë, Partia Demokratike ka vendosur të intensifikojë lëvizjet, duke marrë vendimin për t’i dorëzuar Kuvendit kërkesën për një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes, Olta xhaçka.


Në seancën, e cila pritet të zhvillohet më datë 2 mars ora 10:00, opozita do të kërkojë nga ministrja informacion për arsyen se përse Meçollari u përjashtua nga Forcat e Armatosura.


Gjithashtu deputetët e opozitës do të kërkojnë seancë dëgjimore me kreun e SHISH dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të FA, për të mësuar më tepër mbi praktikën e ndjekur për propozimin e Meçollarit për pjesëtar në ekipin negociator.


28 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)