Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i ka dalë në mbrojtje Artur Mecollarit, duke përgënjeshtruar akuzat e opozitës mbi pastërtinë e figurës së kapitenit të rangut të parë, i cili është pjesë e grupit negociator me Greqinë për kufirin detar.
Gjatë raportimit në komision, Xhaçka i ka cilësuar akuzat ndaj tij, si inskenime absurde dhe qesharake, duke e konsideruar një patriot të mirë që ka bërë detyrën e tij për atdheun.
Por për Ministrinë e Mbrojtjes, kapiten Meçollari disponon certifikatë sigurie nga NATO.
Olta Xhaçka: Artur Meçollarin e kam takuar për herë të parë në jetën time në fund të nëntorit 2017. Meçollarin e takova në Kabul ku ishte ushtaraku më i lartë shqiptar në misionin e NATO-s. E pranova kërkesën e komisionit për të sqaruar disa fjali të hedhura qëllimisht lart e poshtë. Akuzat, për të poshtëruar jo një individ, por një proces të tërë që ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë. Çështja e delimitimit te hapësirave detare është një çështje sa komplekse dhe delikate. Artur Meçollari u hoq nga detyra, pasi nuk pranoi t’u jepte bazat detyre miqve të ish-kryeministrit. E gjitha ishte një hakmarrje personale, nuk ka të bëjë me agjenturat. Sulmi i stisur ndaj Meçollarit, – u shpreh Xhaçka. – Në përballjet diplomatike me palën greke ka qenë e nevojshme ekspertiza në çështjet detare. Kapiten Meçollari ka dhënë kontributin dhe ka ofruar konsulencën e tij për disa Ministra të Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Konsulenca e Meçollarit për analizimin e situatës para dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010. Meçollari u largua nga FA, pa mësuar për rreth 6 muaj zyrtarisht cila ishte shkelja që ai kishte bërë. Ishte Meçollari që kërkoi drejtësinë dhe jo sistemi, që nëse kishte prova, duhet ta çonte në prokurori.
Në nisje të seancës dëgjimore, deputeti demokrat Flamur Noka parashtroi këto pyetje:
“T’u bëjmë transparente shqiptarëve rrethanat që kanë çuar Ministren e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm për të bërë pjesë të grupit negociator një individ të tillë të dyshimtë si Artur Meçollarin. A ka dijeni Ministrja rreth këtyre informacioneve që disponohen dhe që kanë qarkulluar e qarkullojnë, a ka pasur dijeni Ministria e Mbrojtjes rreth integritetit të tij të cenuar dhe mbi çfarë rrethanash është nisur për të caktuar në një detyrë kaq të lartë një njeri të dyshimtë?
Pak ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Meçollarin si spiun ne shërbim te agjencive të huaja.
6 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)