Jack Ma, themelues i perandorisë tregtare online “Alibaba” dhe një prej njerëzve më të pasur të Kinës, ka vendosur që të dorëhiqet nga pozicioni i shefit ekzekutiv të kompanisë.
Miliarderi Jack Ma e themeloi “Alibabën” në vitin 1999 dhe e ka udhëhequr atë derisa e pa të bëhej një nga kompanitë më të mëdha botërore të tregtisë në internet. Me një vlerë totale prej mbi 400 miliardë dollarësh, “Alibaba” përfshin shitjet “online”, produksionin e filmave dhe një rrjet informatike. “Alibabën” ai e themeloi nga dhoma e tij e apartamentit në Hangzhou, së bashku me një grup miqsh.
Në një intervistë për “NYT”, ish-mësuesi i anglishtes Ma ka deklaruar se tërheqja e tij nuk nënkupton fundin e një epoke, por fillimin e një epoke të re, teksa shtoi se e adhuron arsimimin.
Jack Ma, i cili do të festojë 54-vjetorin e lindjes të hënën, ka një pasuri prej rreth 40 miliardë dollarësh, gjë që e bën atë personin e tretë më të pasur në Kinë, sipas listës së pasanikëve të vitit 2017 të hartuar nga “Forbes”.
8 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)