Ish-polici grek Eftimios Eftimiu, i cili akuzohet se ka ekzekutuar Devi Kasmin më 29 janar, në këmbim të shumës prej 25 mijë euro, ka frikë të qëndrojë në qelinë e burgut. Ai ka refuzuar të paraqitej në seancën e apelimit të masës së sigurisë ndaj tij pasi pretendon se ndihet i kërcënuar për jetën.


41-vjeçari grek nëpërmjet një deklarate, i ka shprehur Gjykatës këtë dhe mosparaqitja e tij në gjyq çoi në shtyrjen e seancës, ku ai kishte kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.


Në letrën drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, Eftimiu pretendon se është kërcënuar me jetë në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit dhe me gjithë dëshirën e tij të madhe për të marrë pjesë në këtë seancë, nuk mundej të ishte prezent pasi i rrezikohej jeta.


“Kam marrë dijeni për datën dhe orën e seancës që do të zhvillohet ndaj meje, ndaj bëj me dije Gjykatën se e kam të pamundur të jem i pranishëm në këtë seancë. I nderuar kryetar i trupit gjykues, dua të jem dhe të marr pjesë në seancë, por nuk dua të transportohem drejt kryeqytetit se ndihem i pasigurt për jetën time”, thuhet në letrën e Eftimiut.


Pretendimin e të dyshuarit si “vrasës me pagesë” e ka pohuar në sallën e gjyqit edhe avokati i tij Sajmir Vishaj.


Si pasojë, Krimet e Rënda e shtynë seancën për të enjten në orën 14:00, duke i dhënë mundësinë Policisë së Burgjeve të bëjë shoqërimin Eftimiut dhe kthimin e tij brenda ditës në Bradashesh.


08 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)