Ministri i Jashtëm i komanduar, Gent Cakaj njoftoi sot nëpërmjet një deklarate për mediat se ka shkarkuar 20 punonjës në sektorin e diplomacisë.


Kjo reformë e paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama me shumë gjasë ka prekur të emëruarit nga Ditmir Bushati, me të cilin shefi i qeverisë i ka prishur raportet pas vendimit për ta shkarkuar.


Kjo mund të vërehet edhe nga “sulmi” në distancë që Cakaj i ka bërë paraardhësit të tij në detyrë, duke thënë se “Shqipëria nuk është e miqve, kushërinjve, apo klaneve e krushqive”.


“Ju informoj se numri i të prekurve nga kjo iniciativë informatorë do të shkojë mbi 20. Axhenda reformiste e kapërcimit të pellgut të shkuar nuk përkon me nepotizmin në asnjë sektor.


Duke vlerësuar njëkohësisht, hapjen e dyerve të shtetit për të rinjtë ekselentë të vendit si avantazh të madh që duhet shfrytëzuar e doemos për të ripërtërirë administratën tonë, komunikoj se kemi gati thirrjen publike për vakancat e krijuara nga vala e pastrimit në shërbimin tonë diplomatik”, tha ai.