E ka nisur me dorë të hekurt drejtimin e Akademisë së Shkencave, kryetari i sapozgjedhur Skënder Gjinushi.
Në emisionin “Debati në Channel One”, pasi ka kërkuar falje për gazetaren Enkeleda Mema, të cilës iu drejtua me gjuhë seksiste, Gjinushi ka zbuluar se është takuar me Presidentin Ilir Meta dhe po pret prej tij dekretimin si Kryeshkencëtari i Shqipërisë.
“Po patjetër, pse të mos e dekretojë. Me zotin Meta kam marrëdhënie krejt normale, shumë të mira. Nuk kam vetëm marrëdhënie institucionale por edhe personale. Jemi takuar dje. Më uroi për zgjedhjen. Votuan 43 akademikë”, zbuloi Gjinushi.
Por, kreu i PSD ka kërcënuar në një farë mënyrë anëtarët e Akademisë së Shkencave kur tha se në kuadër të reformimit ai do të heq titujt akademikë që kanë indoktrinimin komunist.
“Nuk mund të kontrollohet një punim shkencor nga njerëz që nuk marrin vesh nga shkenca. Projektligji ende nuk ka kaluar hallkat e miratimit të mëtejshëm. Akademia e Shkencave është e gatshme dhe për atë që flitet që nëse ka tituj ose grada të marrë në mënyrë të pamerituar gjykon këshilli i etikës. Varet nga shkalla e plagjiaturës, falsifikimit etj masat që ndërmerren. Fillon që nga masa disiplinore e më tej. Tani ka kaluar shumë kohë, duhet të jenë të paktë ata që mbajnë grada nga ajo kohë. Ky problem duhet të ishte parë që në fillim, që në vitet e para, çfarë bëhej me temat e ideologjizuara. Normalisht që ato duhet të anulohen, të zhvlerësohen”, tha Gjinushi.
Pavarësisht vullnetit të mirë të Gjinushit për të ngritur nivelin e profesionalizmit në Akademi, duket disi absurde se si një ish-ministër i Arsimit në diktaturën e Enver Hoxhës mund të reformojë institucionin duke larguar akademikët komunistë.