Zylfie Haklaj, e njohur ndryshe si “Shota e Haklajve”, për shkak se në mes të Bajram Currit kreu një vrasje për t’u hakmarrë për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, për herë të parë ka sfiduar hapur ish-kryeministrin Sali Berisha për një përballje në televizion, ku do të tregohen të vërtetat e ngjarjeve të pas viteve ’90 në Tropojë.
Kujtojmë se Zylfija është motra e Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Haklajt, të cilët janë vrarë në Tropojë dhe janë në mesin e 200 viktimave që prodhoi në Tropojë, mpleksja e politikës dhe interesave për pushtet.
Që prej vitit 2002, Zylfije Haklaj së bashku me familjen emigruan në Suedi, ku ajo ka marrë azil politik dhe nga Stokholmi zyrtar asnjëherë nuk është miratuar kërkesa e Tiranës për ekstradim edhe pse ajo figuron në listën e 10 shqiptarëve më të kërkuar nga Interpoli.
Zylfije Haklaj bën fajtor për vrasjen e vëllezërve të saj dhe për gjakun e derdhur në Tropojë vetëm një person dhe ai është ish-kryeministri Sali Berisha, për të cilin thotë me një postim në Facebok se është “e gatshme nga ky moment ne cilëndo studio televizive të përballem”.
“Nëse dëshiron le ta zgjedhë vetë studion televizive. Meqenëse Sali Berisha kurrë nuk na dha një mundësi sqarimi ose arsyetimi familjes tone, i kërkoj debat televiziv ku te gjithë ata qe janë te interesuar do ta mësojnë te vërtetën e rrjedhës se ngjarjeve deri ne ditët e sotme ne mes te familjes tone dhe Sali Berishës. Dua qe dhe vete Berisha te mësoje, meqenëse kurrë nuk e diti te vërteten nga kush u përdor kundër familjes tone”, shkruan ajo.