Gazetari investigativ Artan Hoxha, ka folur në lidhje me arrestimet e ndodhura në qytetin e Elbasanit. Mes të arrestuarve nga operacioni i koduar "Krasta" është dhe Florenc Çapja, i cili akuzohet për një krim të ndodhur në vitin 2006.
Gazetari Hoxha shprehu habi se si ka mundësi që në një masë kontrollesh kaq masive në banesa dhe biznese të dy fiseve kundërshtare Çapja – Çela, u sekuestruan një numër i vogël armatimesh, ndërkohë që më shumë pati persona të shoqëruar sesa të arrestuar.
Hoxha shprehet në "Report TV", se ky operacion mund të ketë pasur dekonspirim, por sipas tij, ky aksion "është një mesazh pozitiv për qytetarët dhe mesazh i fortë kundër krimit".
Hoxha deklaroi se me të arrestuarve është edhe Bledar Muça, i cili ka kundërshtuar forcat RENEA.
"Forcat speciale dhe FNSH të dërguara nga Tirana kanë bastisur të gjithë zonën ku operojnë kryesisht klani Çapja, kanë kapur disa persona, kanë shoqëruar shumë më tepër sesa kanë kapur. Bledar Muça është ndaluar për shkak të kundërshtimit që i ka bërë forcave të policisë, e ka shoqëruar RENEA. Të kontrollosh një numër kaq të madh banesash dhe numri i armëve që janë kapur është shumë i vogël. Që do të thotë që diçka ka punuar aty brenda…Kemi të bëjmë me grupe që kanë mbi dy dekada në aktivitet. Janë kontrolluar edhe bizneset e krahut tjetër, sepse ka dalë edhe një episod i vitit 2013 ku është i përfshirë Suel Çela", tha Hoxha.
Bledar Muça dhe Florenc Çapja, janë dy personat qe i shpëtuan atentatit më 3 Shkurt të 2016-ës, masakër ku mbetën të vrarë, Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli. Por Çapja dhe Muça nuk janë bërë vetëm shënjestra atentatesh. Ata kanë qenë të dyshuar edhe për disa ngjarje kriminale të ndodhura në këtë qytet, gjatë viteve të fundit.
Gazetari investigativ i Report Tv, solli në vëmendje edhe vrasjen e vitit 2012 të Gentjan Beqirit dhe babait të tij të cilët ishin në arrest shtëpiak në ruajtje nga policia. Edhe kjo ngjarje u zbardh nga hetimet, ndërsa autorët janë shpallur në kërkim. Artan Hoxha tha se Elbasani është qyteti me numrin më të madh të policëve të vrarë. Edhe vetë Florenc Çapja u arrestua për tentativën e vrasjes në 2006-ën të Fadil Memës, ish polic, i cili më tej u ekzekutua në Itali. Çapja u prangos për atentatin e mbetur në tentativë, ndërsa hetimet vijojnë për të parë nëse ka përfshirje të tij edhe në ekzekutimin në Torino të Italisë në 2015-ës.
"Vrasja e vitit 2012 kur u vra Gentjan Beqiri dhe babai i tij ndërsa ishin në arrest shtëpiak me mbrojtjen e policisë. Në 2016-ën Gentjan Beqirin i kanë ekzekutuar edhe vëllain. Po zbërtheve të parën atje zbërthen gjithë ngjarjet. Është qyteti që ka numrin më të madh të vrasjes së policëve.
Elbasani është qyteti që ka më shumë vrasje. Aty ka një numër të madh policësh të vrarë direkt nga mafiat. Çapjat i kanë sulmuar direkt forcat operacionale. Prandaj nuk është përfshirë në operacionin e djeshëm besoj. Është goditur direkt, ka pasur një betejë. Do bëj gati materialin dhe do shikoni që zjarri i hapur mes punonjësve të operacionales dhe pjesëtarëve të një grupi kriminal në Elbasan të duket sikur je në Sinaloa të Meksikës dhe karteli i Sinalos po lufton me gardën meksikane.
Uroj që ky të jetë fillimi dhe jo fundi. Sepse me të vërtetë Elbasani ka nevojë për ta zbërthyer një herë e mirë dhe për të dhënë drejtë për kaq shumë njerëz të vrarë, dhe familje e fise që kanë ikur nga sytë këmbët nga Elbasani për t’i shpëtuar këtyre njerëzve që mbanin nën sundim qytetin", tha Artan Hoxha.
http://www.youtube.com/watch?v=DlEyDVvhpPA&feature=player_embedded