Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Korrik 2019
"Journal des débats politiques et littéraires" ka botuar, më 14 (faqe n°6) dhe 15 dhjetor (faqe n°2) 1926 telegramet e shkëmbyera ndërmjet Ahmet Zogut me Viktor-Emanuelin III (Mbretin e Italisë) dhe Musolinin, me rastin e ratifikimit të traktatit të miqësisë italo-shqiptare, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut "Dars (Klos), Mat – Albania", i ka sjellë për publikun shqiptar:
Romë, 13 dhjetor.
Z. Ahmet Zogu, President i Republikës së Shqipërisë, i dërgoi Mbretit të Italisë këtë telegram, me rastin e ratifikimit të traktatit të miqësisë italo-shqiptare:
"I kam çmuar veçanërisht ndjenjat që Shkëlqesia juaj donte të më tregonte në momentin kur lidhjet tradicionale të miqësisë midis kombit shqiptar dhe atij italian u konfirmuan nga një pakt solemn i frymëzuar nga të njëjtat ndjenja të përzemërta.
Dëshiroj t’i përtërij Shkëlqesisë Suaj, në këtë rast të lumtur, shprehjen e sinqertë të dëshirave të mia për të mirën dhe prosperitetin e kombit fisnik shqiptar dhe për lumturinë personale të Shkëlqesisë Suaj."
Dje, kemi publikuar telegramet e shkëmbyera midis Z. Ahmet Zogu, President i Republikës së Shqipërisë dhe Mbretit të Italisë. Sot, ju komunikojmë shkëmbimet ndërmjet Ahmet Zogut dhe Musolinit.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh si më poshtë:
"Jam veçanërisht i kënaqur të theksoj se ratifikimi i Paktit të Miqësisë dhe Sigurisë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë është një provë e mëtejshme e politikës besnike dhe të zgjuar që ndiqet nga Shkëlqesia juaj drejt vendit tim.
Duke deklaruar kështu qëllimet e sinqerta dhe pa interes të kombit italian për motrën e tij shqiptare, Shkëlqesia juaj e ka kurorëzuar veprën e paqes duke dhënë një kontribut të madh, në të njëjtën kohë, në forcimin e lidhjeve tradicionale të miqësisë të cilat për fat të mirë ekzistojnë ndërmjet dy popujve fqinjë.
Me këtë rast, unë jam i lumtur të dekoroj Shkëlqesinë Tuaj me Kordonin e madh të Urdhërit të Lartë Kombëtar të Besës."
Z. Musolini iu përgjigj Presidentit të Republikës së Shqipërisë me telegramin e mëposhtëm:
"Ndjenjat e miqësisë besnike dhe dëshira e përbashkët për paqe që frymëzojnë dy popujt e Italisë dhe të Shqipërisë kanë gjetur, në Paktin e Miqësisë dhe të Arbitrazhit (Sigurisë) të nënshkruar kohët e fundit, një rezultat të sinqertë dhe të qëndrueshëm.
Jam i kënaqur që kombi fisnik shqiptar, i qeverisur nga dora e fortë e Shkëlqesisë Suaj, ka mirëpritur me simpati të njëzëshme përfundimin e një pakti që i hap dy popujve rrugët për një bashkëpunim paqësor dhe të frytshëm.
Uroj, për shëndetin dhe lumturinë e Shkëlqesisë suaj, dëshirat më të ngrohta.
Ju falënderoj për dekorimin tuaj dhe jam i lumtur t’ju informoj se Mbreti ju ka dekoruar me Kordonin e Madh të Santi-Maurizio."
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe z. Musolini kanë uruar gjithashtu njëri-tjetrin.