Gentian Malindi është personi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit, si një prej personave që priste sasinë prej 137 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, e nisur nga Ekuadori dhe me destinacionin final Shqipërinë.

Gentian Malindi është djali i avokatit Ilir Malindi, ky i fundit një emër i njohur edhe për median për të kaluarën e tij, për shkak të konflikteve dhe padive në disa raste edhe me përfaqësues të shtypit.

Gentian Malindi nuk dihet se çfarë bën në jetën e tij, por sipas Policisë ai rezulton të jetë pritësi i mallit, ndërsa dy të arrestuarit janë sekserë. Njëri oficer në port dhe tjetri një peshkatar.

Për dy të ndaluarit Ardian Bega dhe Altin Myslihaka Gjykata për Krimet e Rënda ka nisur seancat për caktimin e masës së sigurisë, ku prokurori kërkon "arrest me burg". Nga të dhënat e deritanishme bëhet e ditur se, sipas dëshmisë së Begës para oficerëve të çështjes, Malindi i kishte kërkuar që të merrte diçka tek të dy kontejnerët, ndërsa e kishte hedhur atë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pasi kishte kuptuar se ishte një kurth nga policia.

Në këtë mënyrë, Policia zbardh detajet e operacionit ndërkombëtar që nisi në Greqi dhe u mbyll në Shqipëri, por që ka nisur shumë kohë më parë. Sipas Policisë, në Durrës janë sekuestruar plot 137 kg kokainë dhe janë arrestuar dy persona. Operacioni ka qenë dorëzimi i kontrolluar dhe pakot kanë qenë të pajisura me GPS. Është hequr kokaina dhe janë vendosur disa pako me oriz. Personat që kanë marrë lëndën narkotike janë ndaluar.

Policia greke ka zbuluar dy konteinerë që dyshohet se përmbanin kokainë dhe do të niseshin nga Porti i Pireut, Greqi për në portin e Durrësit, Shqipëri. Në një operacion të përbashkët, pala greke ka informuar atë shqiptare për kontenierët. Policia tha se janë përdorur metodat speciale të hetimit deri në momentin e dorëzimit të mallit.