Rinis në gjykatën për Krime të Rënda procesi për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin. Jambelli akuzohet si urdhërues i vrasjes së kryekomisar Artan Cuku, ndërsa Leci si ndihmës i tij. Procesi ishte pezulluar për një periudhë 13 mujore.

Jambelli dhe Leci janë liruar nga autoritetet greke, të cilat rrëzuan kërkesën e Shqipërisë për ekstradim. Në seancën e sotme Gjykata relatoi se përgjatë këtij viti që çështja ishte e pezulluar, policia e Fierit dhe Beratit kanë ushtruar kontrolle në banesat e tyre, pa i gjetur.

Neshat Fana avokat i familjes se Artan Cukut e cilësoi qesharake faktin që policia i kërkon në Shqipëri, kur ata janë liruar në Greqi. "Kjo është qesharake ju kërkoni në Fier e Ballsh për të pandehurit kur të gjithë e dinë që Jambelli dhe Leci janë liruar nga Greqia", u shpreh Fana.

Pasi i dështuan përpjekjet për t’u liruar nga burgu dhe pasi siguroi statusin e të penduarit të drejtësisë, Mikel Shallari, ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen duke rikthyer historinë e një arrestimi në vitin 2012, kohë kur Cuku ka qenë nëndrejtor policie në Vlorë.

Shallari i përmendi prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.

Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë.

Një vit më pas, në 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra me urdhër të Drejtorit të atëhershëm të Policisë, Artan Didi. Ndërkohë, pavarësisht rihapjes së hetimeve për vrasjen tek Pusi i Mezinit, Bledar Jambelli u lirua nga burgu, pasi në atë kohë u tha se nuk u gjetën prova. Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.