Albin Kurti është tashmë kryeministri i ri i Kosovës, që doli nga votat e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.


Edhe pse me disa vonesa dhe nëpërmjet bisedimesh e takimesh herë të përfolura e herë të dështuara, tanimë ai do të drejtojë qeverinë e Kosovës për 4 vitet e ardhshme.


Ajo që duhet përmendur është fakti  që Albin Kurti në të gjitha vitet e tij si aktivist e më pas edhe si politikan me krijimin e Lëvizjes Vetëvendosja, në zemër të gjithë angazhimit të tij ka pasur idealin për bashkim kombëtar.


Ideal që në fakt ka pasuar edhe rritjen e madhe politike të Kurtit, duke e bërë atë të jetë parti e parë në Kosovë.


Por paralelisht me kalimin e viteve dhe më shumë me marrjen e pushtetit, është e dukshme “zbutja” e artikulimit publik të Kurtit për tezën e bashkimit kombëtar, edhe pse duhet thënë që asnjëherë nuk ka pasur një heqje dorë ndaj këtij ideali pasi në diskurin e Albin Kurtit të nënkuptuar ose jo ka qenë çështja kombëtare.


Takimi i parë i Albin Kurtit si kryeministër jashtë kufijve shtetërorë të Kosovës, ishtë ai i vizitës ditën e sotme në Tiranë ku siç edhe pritej ai do të pyetej për qëndrimin e tij në lidhje me “Minishengenin Ballkanik”.


Me artikulimin e tij të kujdesshëm të paktën në dy fjali, Albin Kurti, nënkuptoi tezën e bashkimit kombëtar. Ai tha tekstualisht se: Takimi sot është për Makroshengenin shqiptar se për Minishengenin Ballkanik”.


Deklaratë kjo që vetvetiu të lë të kuptosh se Albin Kurti dje aktivist dhe sot kryministër nuk e ka harruar mesa duket idealin për bashkim kombëtar.


Gjithashtu ai u shpreh në një tjetër fjali të tijën se: ëndrrat janë kolektive dhe suksesi personal. Kjo mbase mund të interpretohet si qëllimi i tij për të lënë gjurmë në histori si lider dhe si person, në arritjen e një aspirate mbarëkombëtare dhe kolektive, siç është bashkimi kombëtar.


Besojmë që për të parë sesa seriozisht e ka Albin Kurti me këtë tezë nuk do të na duhet të presim edhe gjatë, sepse lëvizjet e para drejt këtij qëllimi janë heqja totale e barrierave ekonomike, heqja e doganave dhe lëvizja pa kufinj e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.


E të gjitha këto janë politika që mund t’i shohim në afatshkurtësi sesa seriozisht do të merren nga Albin Kurti.