
Tashmë, kundërshtarët e Haklajve e kishin rrugën e lirë për të shkatërruar kullën, në një kohë që nuk arrinin dot te familja. Mbrëmjen e 13 gushtit, një grup prej të paktën 5 personash spërkatën me benzinë dhe dogjën nga themelet godinën 3-katëshe.
“Nuk arrita t’i marr të gjitha plaçkat pasi pas disa ditësh bën djegien e banesës, hodhën benzinë, e dogjën nga fundi në majë”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklave.
Një muaj më vonë, më 13 Shtator, i njëjti grup komando minoi me rreth 70 kilogramë eksploziv kullën. Këtë herë e rrafshuan thuajse totalisht. Shpërthimi shkaktoi dëmtime në banesën aty pranë të ish-deputetit demokrat Azgan Haklaj, që i ndante muri nga kushërinjtë.
Rreth 40 kilogramë tritol u gjetën nga xhenierët të pashpërthyera. Autorët e krimit, kishin hasur pengesë qentë që i kishin mbetur besnikë të zotëve.
Edhe pse ishin lënë prova, dhe të pashpërthyera kishin mbetur një sasi e madhe eksplozivi, si përherë ngjarja mbeti e pazbardhur. Pas rrafshimit të kullës, ndaj Haklajve ndërmerret një sulm i padëgjuar më parë, dhe në shkelje të çdo tradite zakonore. Varret e 4 vëllezërve të vdekur, Shkëlqimit, Halilit, Fatmirit dhe Yllit dhunohen dhe përdhosen.
Kjo ishte shenjë e një urrejtje të fortë, të nxitur nga politika por edhe për shkak të vrasjeve që kishin kryer fisi Haklaj.
Ndjenja e zymtësisë, është prezentë edhe në rrethimin e jashtëm të vendit ku dikur ngrihej kulla shekullore e familjes Haklaj. Ky pozicion i fortifikuar, muret e larta dhe gardhi me tela me gjemba janë tregues i parë i historisë së saj. Aty prej vitesh nuk ndodhet askush.
Sapo futesh brenda, shfaqen rrënojat. Në të djathtë të portës në një cep qëndron pllakat e dëmtuar që dikur ishte në varrin e vëllait të vogël, Yllit. Mesazhi prekës aty, citimi në emër të 3 fëmijëve jetim, i jep kuptim asaj që shfaqet përballë edhe për dikë që nuk njeh historinë. Aty, duken edhe disa xhama të blinduar që dikur ishin në dritaret e kullës.
Ky mur që ka rezistuar, duket sot si simbol i qëndresës por edhe kujtesës për një gjakderdhje, që më së shumti u shkaktua nga politika.
https://www.facebook.com/tch.topstory/videos/3230373156978410/