Klement dhe Eldi Çala, as e kishin menduar se në një kohë si kjo, kur vëmendja është drejtuar tek izolimi i njerëzve në shtëpi do të binin në pranga. Ata kanë mundur të “zhduken” pa gjurmë, edhe atëherë kur ishin në qendër të vëmendjes së Policisë, pak ditë e ndoshta edhe pak muaj pas asaj ngjarjeje që la pas një grabitje prej 10 milionë euro.
Si provë janë gjetu para, armë e makina. E të gjitha këto janë prova që do të mbajnë në këmbë akuzën e rëndë, e lidhur edhe me një vrasje që po hetohet tashmë nga SPAK. Për “kokën” e vëllezërve Çala Policia pati vënë atëherë në dispozicion edhe një shumë prej 10 mijë euro, për ata që do jepnin informacion mbi vendndodhjen.
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala u gjetën në një shtëpi që kishin marrë më qera në Qerret të Kavajës. Ata ishin shpallur në kërkim për dy grabitje të bujshme njëra në rrugën e Rinasit dhe tjetra ajo brenda aeroportit.
Por ku është Klement Çala? 32-vjeçari nga Elbasani ishte në kërkim për grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill 2019, ku u morën 4.6 milionë euro. Ai ishte pjesë e grupit të Admir Muratajt që mbeti i vrarë nga policia pas grabitjes së parave.
Çala dyshohet se ka bërë edhe grabitjen në vitin 2017 në Qafë Kashar. Blindave që transportonin drejt Rinasit paratë e bankës, iu bë pritë nga një grup i armatosur në muajin shkurt ku u grabitën 2.7 milionë dollarë.
Lidhja e Muratajt me Klement Çalën është më e hershme. Ai ka qenë i akuzuar nga Greqia për grabitjen e 1 milionë eurove bashkë me Admir Muratajn. Bëhet fjalë për sulmin e tyre ndaj Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës dhe ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2013.
Klement Çala është një nga pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi më 22 mars 2013 dhe së bashku me Admir Muratajn u fshehën në Shqipëri. Çala ishte identifikuar si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë.
Për grabitjen e 4.6 milionë në pistën e aeroportit në qeli ndodhen 7 persona: Ragip Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Cela, Alkond Bengasi dhe Hasan Kanaci. Në kërkim mbetet tashmë vetëm Talo Çela bashkëpunëtori i vëllezërve Çala.
Ndërs Eldi Çala është personi që nuk ka pasur rol aktiv në krimet jashtë Shqipërisë. Ai ka jetuar gjithmonë në Shqipëri dhe ka gjetur të gjitha rrugët e fshehjes së të vëllait dhe bandës së tij. Kryente organizimin dhe studionte në detaje gjithçka i kërkohej. Sipas Policisë ai mendohet edhe si fotograf i grupit, pasi ai kishte për detyrë të bënte foto të të gjithave pikave të lëvizjes së eskortës së parave.