Policia ka plagosur dhe vënë në pranga një prej personave më të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri. I arresturi është Orgest Bilbili, që njihet si lidhje e afërt me “Julin e Pashakos” në Lushnjë.


I dyshuar për disa krime të rënda dhe vrasje, Orgest Bilbili, për kapjen e të cilit policia kishte vendosur një shpërblim financiar prej 50 mijë euro, u arrestua nga një polic i vetëm dhe pa bujë.


I përfshirë në atentatin ndaj prokurorit


Sipas shqiptarja.com, policia ka ngritur dyshime për Bilbilin, se së bashku me Lart Haxhiun, ishin qitësit kryesorë në atentatin kundër Landi Muharremit, prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, dhe shoferit të tij Andi Maloku.


Vrasjet me pagesë, përplasja me bandën e Aldo Bares


Haxhiu dhe Bilbili, prej disa vitesh ishin në kërkim, ndërkohë që kohët e fundit policia e shtetit, kishte ngritur dyshime të forta se kjo dyshe, vepronte në disa qytete, si killera me pagesë. Haxhiu dhe Bilbili janë shpallur në kërkim me një vendim të gjykatës së Lushnjës për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit. Ndërkohë objektivi i atentatit ishte në fakt, nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, i cili shpëtoi mrekullisht. Për këta ngjarje ata nuk mundën të arrestohen nga policia e Lushnjës dhe ajo e Fierit, ndërsa më pas këto dy personazhe dyshohet shumë se kanë ekzekutuar Besmir Kidën dhe biznesmenit Ardian Boriçit, i cili u vra në lokalin e tij në Lushnjë.