Operacioni Forca e Ligjit u kërkon që të justifikojnë pasurinë 5 personave në hetim dhe të dënuar për trafik droge dhe vrasje në Tiranë dhe në Durrës, mes të cilëve Gentian Malindi, emër i njohur pas zbulimit të kokainës vitin e kaluar në Durrës.


Gentian Malindi banues në Durrës, sipas OFL-së është nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Gentian Malindi u bë i njohur në shtator 2019 kur në portin e Durrësit u sekuestrua kokaina e nisur  nga Ekuadori.  Gentian Malindi është në kërkim, ndërsa për ngarkesën 137 kg kokainë qëndrojnë në qeli dy persona Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, si dhe punëtori në anijen e Gentian Malindit, Altin Mislihaka.


Sipas policisë, dy personat e arrestuar sapo kanë marrë pakot me kokainë nga kontenieri u larguan me një makinë së bashku me Gentian Malindin drejt Shkëmbit të Kavajës, por sapo zbuluan se në pakot ku mendonin se kishte kokainë ishte futur oriz dhe nga një GPS për të zbuluar destinacion përfundimtar, ata e hodhën çantën në mes të rrugës, duke u larguar.


Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.