Grupi i Partive Popullore Europiane reagon sërish për Reformën zgjedhore. Përmes një deklarate, PPE tregon se e mirëpret marrëveshjen politike të arritur disa ditë më parë, ndërsa këmbëngul që reformat të përmbyllet dhe implementohet përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale.


“Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është thelbësore për demokracinë në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë përputhet me dy kushte për fillimin e negociatave të pranimit në BE “, deklaruan eurodeputetët Andrey Kovatchev, nënkryetari i Grupit të PPE-së, dhe Michael Gahler, zëdhënësi i këtij grupi për Punët e Jashtme pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar shqiptar të Integrimit Europian ku u diskutuan kushtet e BE-së dhe masat përkatëse që duhen marrë nga qeveria.


“Si një tjetër kusht për të filluar negociatat e pranimit, Këshilli Europian në mars kërkoi që Shqipëria të sqarojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019. Fakti që qeveritë lokale në Shqipëri drejtohen nga një palë e vetme e vendos atë në kundërshtim me nocionin themelor të një demokracie pluraliste. Legjislacioni që kërcënon lirinë e shprehjes duhet hequr dhe duhet të nisin  procedura penale mbi akuzat për blerje votash në zgjedhjet e kaluara “, shtoi Kovatçev.”


Grupi i PPE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE”, theksohet në deklaratë. “Prandaj ne e vlerësojmë marrëveshjen mes  qeverisë dhe partive opozitare në Shqipëri mbi një pjesë të rëndësishme të reformës së ligjit zgjedhor, sic është rekomanduar nga BE dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).  Nëse ajo përfundohet në këtë frymë dhe zbatohet në mirëbesim para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe vendore, ajo do të çojë Shqipërinë një hap më tej në rrugën europiane “, theksoi Gahler.